Forma e mirë që po kalon sulmuesi Victor Osimhen ka bërë që Real Madridi ta kthejë interesimin për sulmuesin e Napolit. “Fichajes” raporton të hënën se Reali po e sheh Osimhenin si përforcim ideal për sulmin në sezonin e ardhshëm.
24-vjeçari po shkëlqen këtë sezon me Napolin, ekip që për kartonin e tij po kërkon mbi 100 milionë euro. Ai ka shënuar 18 gola në 22 paraqitje në të gjitha garat për Napolin, ndërsa me ekipin italian ka kontratë deri në vitin 2025.
Osimhen po kërkohet edhe nga skuadrat tjera të mëdha të Evropës, por te Reali janë të bindur se mund ta transferojnë në verë. Ai është pjesë e Napolit prej vitit 2020, ndërsa po kërkohet edhe nga Manchester Unitedi, Chelsea e Paris Saint-Germaini.