Sport

Rashkaj pranon se karrierës së tij te Kosova po i vjen fundi

Transferimi në kategorinë e dytë të Suedisë pritet të zvogëlojë gjasat që Anel Rashkaj të marrë ftesë tjetër nga Përfaqësuesja e Kosovës në futboll. Rashkaj është ish-kapiten i Kosovës, ndërsa kontribut të vlerësuar ka dhënë edhe në ndeshjet e fundit të përfaqësueses. Madje ai kishte kompletuar ndeshjen e rëndësishme ndaj Suedisë, më 15 nëntor të vitit të kaluar.

Por marrë për bazë nivelin që e kanë shumica e reprezentuesve të Kosovës, klubet ku luajnë ata, kategoria e dytë e Suedisë vështirë se do të mjaftojë për t’u përfshirë në konkurrencë për një vend te Kosova. Niveli i klubit dhe ligës është prej kritereve bazë kur bëhet përzgjedhja e ekipit përfaqësues.

Rashkaj të enjten ka firmosur për dy vjet me skuadrën Orgryte. Bëhet fjalë për klubin më të vjetër në Suedi, por që garon në kategorinë e dytë të këtij vendi, Superettan. Vitin e kaluar përfundoi në vendin e 12-të.

Vitin e kaluar Rashkaj ka luajtur në Finlandë. Nuk kishte ndonjë sukses të madh te skuadra SJK, por ftesë nga Kosova mori rregullisht. Ai kompletoi ndeshjen me Slloveninë, luajti një pjesë me Shqipërinë, kurse në tetor i kaloi 58 minuta në fushë ndaj Greqisë. Ndaj Greqisë kishte luajtur edhe në shtator.

Rashkaj ka vendosur për kthim në Suedi për shkak të familjes që i jeton në këtë vend.

“Së pari në Suedi e kam familjen dhe më ka tërhequr më shumë Suedia për këtë”, ka thënë mesfushori 31-vjeçar për KOHËN, të enjten mbrëma.

Ai më parë ka luajtur te Halmstadi dhe Eskilstuna në Suedi, te Sandnesi në Norvegji kurse në vitin 2017 kishte një periudhë të shkurtër te Prishtina. Edhe më herët ka luajtur në kategorinë e dytë, në Norvegji e Suedi.

“Si hap ndoshta nuk është i pritshmi. Kam shpresuar të kaloj në elitën e Suedisë, por situata u zhvillua në atë mënyrë dhe duhet ta pranoj”, ka theksuar Rashkaj.

Prej kur ishte kapiten historik ndaj Haitit në miqësoren e vitit 2014, Rashkaj ka pasur plot momente të mëdha me Kosovën. Ka sakrifikuar në karrierë që të jetë në shërbim të përfaqësueses. Por mbetet pikëpyetje nëse do të marrë ftesë tjetër nga “dardanët”.

“Mendoj se koha ime në kombëtare është afër fundit. Por do të shoh në muajt në vijim, kur do të vendoset definitivisht”, ka theksuar Rashkaj, mesfushori që shihet si shembull për punën dhe përkushtimin.