Sport

Kosova mbylli një tjetër cikël kualifikues pa krijuar identitetin e saj

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll fitoi më shumë pikë se në ciklin e parë të saj kualifikues për Botëror. Të dielën e mbylli me pesë pikë kampanjën për botërorin “Katari 2022”, katër më shumë se në kualifikimet për “Rusia 2018”. Kosova u rendit e fundit në grupin B, prapa Gjeorgjisë e Greqisë.

Anel Rashkaj e Avni Pepa, dy ish-reprezentues të rëndësishëm, insistojnë se pritjet kanë qenë që Kosova të mbyllë kualifikimet para Gjeorgjisë dhe Greqisë.

Mesfushori Rashkaj në një periudhë ka qenë kapiten i Kosovës, ndërsa ka luajtur me disa futbollistë të gjeneratës aktuale.

“Nuk mendoj se janë përmbushur pritjet. Mendoj që pritjet kanë qenë pak më të mëdha, por jo edhe shumë të mëdha. Nuk mendoj se pretendimet kanë qenë që ne ta arrijmë vendin e parë apo të dytin. Mendoj që pretendimet kanë qenë që të jemi para Greqisë, pra në vendin e tretë. Pritjet nuk kanë qenë që ne të përfundojmë të fundit në tabelë. Mbetëm të fundit, Gjeorgjia para nesh dhe mendoj se nuk e kemi mbyllur një cikël të mirë. Mund të vlerësohet cikël i dështuar, pasi pritshmëritë tona kanë qenë më të mëdha”, ka thënë Rashkaj të hënën për KOHËN.

Mesfushori 32-vjeçar luan për skuadrën e kategorisë së dytë të Suedisë, Orgryte. Ai numëron disa mangësi të Kosovës.

“Nuk kemi pasur stabilitet në lojën tonë, nuk kemi pasur mundësi të luajmë shumë me të njëjtin ekip, kemi pasur shumë ndryshime në pozicione, të lojtarëve dhe kjo ka ndikuar që të mos e gjejmë lojën tonë. Kombëtaret tjera kanë punuar me vite me të njëjtin ekip dhe prandaj kanë pasur suksese, kurse ne nuk jemi në atë situatë. Ka pasur lëndime dhe prurje të reja dhe kjo ndikon pak. Në Kombëtare nuk ke shumë kohë të komponosh ekipin. Edhe trajneri i ri nuk ka pasur shumë kohë. Arsyeja kryesore ka qenë që nuk kemi lojë stabile dhe kjo ka shkaktuar probleme. Ka shumë aspekte që ndikojnë dhe një prej arsyeve është edhe mungesa e hapësirës së lojtarëve në klubet e tyre. Edhe vetëbesimi i ekipit nuk ka qenë në nivel. Ndërrimi i trajnerit sjell pasiguri, por edhe presioni i madh ka qenë te lojtarët pas rezultateve të dobëta”, është shprehur Rashkaj, që për Kosovën ka luajtur 15 ndeshje nga viti 2010 e deri në vitin e shkuar.

Ai thotë se Kosovës i duhet një plan afatgjatë. Sipas mesfushorit, nëse mbetet e njëjta filozofi e lojës atëherë nuk do të ketë ndryshim të situatës dhe rezultateve.

“Duhet analizuar gjithë këto ndeshje dhe të bëhet analizë më e thellë. Kërkon një plan afatgjatë dhe ndoshta nuk funksionin vitin e parë, por me kohë vijnë rezultatet. Federata, pastaj trajneri duhet pasur një plan dhe duhet t’i besohet planit. Në lojën tonë patjetër se duhet të ketë stabilitet. Duhet të jemi të mirë në defensivë, por edhe me top. Kur kemi qenë me top nuk kemi pasur aksione të rrjedhshme, sidomos në mesfushë dhe mendoj se nuk kemi pasur qetësinë për të luajtur me më shumë vetëbesim”, thotë Rashkaj. “Mendoj se shumë ndeshje kemi luajtur pa ndonjë ide të qartë, nuk kemi ditur se çka kemi dashur, të jemi ekip që mbrohemi dhe të sulmojmë nëpërmjet kundërsulmeve apo ekip që udhëheqim në lojë. Nuk kemi pasur qetësi në lojë. Duhet të krijojmë një identitet të lojës tonë. Duhet pasur balancim në mes të ofensivës dhe defensivës. Nuk mund veç të mbrohemi apo veç të sulmojmë. Nëse vazhdojmë kështu, atëherë nuk mendoj që do të ketë ndryshim të situatës dhe rezultateve”.

Rashkaj nuk ka luajtur për Kosovën në asnjërin prej dy cikleve kualifikuese për Botëror. Por Avni Pepa ishte pjesë e “Dardanëve” në ciklin e parë. Luajti disa ndeshje në qendër të mbrojtjes.

“Mentaliteti më duket një problem, kemi lojtarë shumë të mirë, por nuk funksionojmë bashkë mirë. Shpesh ka raste ku lojtarët kanë problem me trajnerët nëse nuk ia jep minutat në kombëtare. Pritjet kanë qenë më të mëdha nga Kosova dhe të dalë e fundit në grup nuk e kisha besuar, pasi kualiteti është në ekipin e Kosovës. Na duhen më shumë liderë si Valon Berisha dhe Amir Rrahmani dhe Federata duhet të bëjë punë më të mirë për të bindur talentet dhe lojtarët për të luajtur për Kosovën. Po ashtu na duhet një trajner që ka autoritet, që nuk frikësohet të bëjë ndërrime nëse lojtarët nuk tregojnë formën në fushë për Kosovën. Mentaliteti dhe fokusi më duken prioritete për të ndryshuar”, ka thënë Pepa.

Ai pret që Kosova të luajë në të ardhmen lojë më ofensive.

“Në ciklin e parë kemi luajtur futboll më ofensiv, s’ka pasur frikë. Edhe pse kemi luajtur me Anglinë dhe ekipe të forta. Kemi shumë lojtarë të mirë ofensivë dhe atëherë stili i Kosovës duhet të jetë më ofensiv, nuk jemi ekip që duhet të jemi më shumë në mbrojtje”, ka theksuar Pepa.