Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rashkaj tregon se çka nuk funksionoi te Kosova

Ish-kapiteni i Kosovës, Anel Rashkaj, ka thënë se në ndeshjen kundër Greqisë nuk funksionoi loja presing e përfaqësueses. Ai po ashtu ka thënë se posedimi i topit nuk ishte në nivelin e duhur nga futbollistët e Kosovës.

“Dardanët” humbën të dielën nga Greqia me rezultatin 1:0. Ndeshja e luajtur në “Fadil Vokrri” i takoi grupit të dytë të Ligës C të Ligës së Kombeve.

“Kosova e filloi ndeshjen shumë mirë dhe kishte raste të mira dhe po të shënonte do ta ndryshonte rrjedhën e lojës. Pastaj Greqia me përvojën që e ka e udhëhoqi lojën në mënyrë të mençur. Mendoj se presingu i Kosovës nuk funksionoi po ashtu posedimi i topit nga ana e Kosovës nuk ishte në nivel. Lojtarët kanë humbur shumë pasime për këtë nivel, nuk kishte qetësi në lojën e Kosovës. Nuk ka kohë shumë, duhet t’i marrin mësimet nga kjo ndeshje dhe nuk bën të bjerë entuziazmi dhe dëshira për fitore për ndeshjet e radhës”, ka thënë Rashkaj të hënën për KOHËN.

Rashkaj pret që te Kosova të ketë më shumë lojtarë stabilë.
“Individualisht duhet secili lojtar ta gjejë formën stabile të ndeshjeve, jo të ketë shumë luhatje. Shembull konkret se si duhet të jetë forma është paraqitja e Amir Rrahmanit. Ai është stabil dhe ky stabilitet të jep rezultate afatgjate dhe mendoj se më shumë lojtarë duhet të ketë si Amiri, sepse nuk mjafton me një”, ka theksuar Rashkaj.

Kosova të enjten pret Irlandën e Veriut, ndërsa të dielën luan në Volos kundër Greqisë. Dy ndeshjet e fundit i luan në shtator.