Sport

Rashkaj, kapiteni ikonik i kohës kur Kosova nuk ishte opsion për shumë lojtarë

Anel Rashkaj - futboll

Nuk ka prekur nivelet e larta me skuadra, por mund të mburret se ishte kapiten i Kosovës. Madje ishte kapiten në një periudhë shumë të vështirë e të ndjeshme, kur Përfaqësuesja e Kosovës nuk ishte opsion për shumë lojtarë të vendit.

Anel Rashkaj të martën ka njoftuar se i ka dhënë fund karrierës si futbollist, për të cilën mund të jetë krenar. Ai ka udhëhequr Kosovën në fushë në miqësoret që mezi siguroheshin e po ashtu në miqësoret zyrtare, pasi FIFA dha leje që Kosova të luante të tilla.

33-vjeçari ka luajtur në mesfushë. Si futbollist ka bërë karrierë për 16 vjet. Kosovës iu bashkua në vitin 2009, në periudhë shumë të vështirë kur rrallë e me mund siguroheshin miqësore me skuadra, kryesisht në Suedi. Shpejt u bë kapiten, ndërsa vazhdoi të luante, sa herë që kishte ndeshje, deri në vitin 2014, kur FIFA dha leje që Kosova të zhvillonte miqësore. Me Haitin, më 5 mars 2014, Kosova e luajti miqësoren e parë “zyrtare”. Dhe me shumë gjasë ajo ishte paraqitja më e mirë e Rashkajt në karrierë me Kosovën. Kishte dominuar mesfushën në barazimin pa gola në Mitrovicë.

Luajti edhe disa ndeshje në vitin 2014, ndërsa më pas nuk u ftua. Ndërkohë, Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA dhe nisi të luante ndeshje kualifikuese në vitin 2016. Por pa Rashkajn në përbërje, që me skuadër nuk luante në nivel të denjë për t’u ftuar.

Te Kosova u kthye në vitin 2019, ndërsa luajti 14 ndeshje gjatë atij viti dhe gjatë vitit 2020. Herë pas here kishte rol më të rëndësishëm, por kryesisht ishte zëvendësues.

Rashkaj ishte larguar nga Prizreni si 14-vjeçar dhe ishte vendosur në Suedi. Klubit Halmstad iu bashkua në vitin 2003 dhe te ky klub arriti deri në nivelin senior. Ka luajtur te Halmstadi deri në vitin 2011. Më pas ishte te Sandnesi në Norvegji deri në vitin 2016, te AFC Eskilstuna në Suedi (dy periudha), te SJK në Finlandë në vitin 2020, ndërsa në dy vjetët e kaluar ishte tek Oergryte në kategorinë e dytë suedeze. Në vitin 2017 e kishte një periudhë të shkurtër dhe jo të lavdishme te Prishtina.

Në përgjithësi ka luajtur në nivele që nuk e bënin kandidat të denjë për vend te Kosova, marrë për bazë nivelin e klubeve të lojtarëve të Kosovës pas pranimit në UEFA e FIFA.

Në elitën e Suedisë, Rashkaj i ka luajtur 152 ndeshje. Ka realizuar dy gola dhe dhjetë asistime. Në elitën e Norvegjisë i kishte 77 ndeshje, tre gola dhe katër asistime. Në elitën e Finlandës i kishte 13 ndeshje, ndërsa ka luajtur 67 ndeshje në kategorinë e dytë suedeze dhe 54 në kategorinë e dytë norvegjeze.

Kapiteni ikonik i Kosovës tani ka nisur karrierë të re. Është njëri prej trajnerëve në ekipin U17 të Halmstadit. Te Akademia e klubit suedez janë shprehur të lumtur që e kanë Rashkajn në radhët e tyre.

“Gjatë karrierës si lojtar gjithnjë e kam pasur synim që të vazhdoj si trajner. Është më herët se që kam planifikuar, por duke marrë parasysh lëndimet e viteve të fundit, ndiej se ishte një mundësi e mirë për të nisur si trajner. Është interesant dhe shumë inspiruese të filloj si trajner tek Akademia e Halmstadit, ku në fakt jam bërë lojtar elitar”, ka thënë Rashkaj. Ai mezi pret të kontribuojë për Akademinë e klubit që ia ka hapur dyert për karrierë në futboll.

16 vjetët si lojtar ai i ka vlerësuar “fantastik”. Ai ka falënderuar lojtarët dhe klubet me të cilat ka bashkëpunuar.

Rashkaj ka mbyllur një kapitull, për të nisur një tjetër. Ai gjithnjë do të çmohet për kontributin në periudhën prej më të vështirave në histori të Përfaqësueses së Kosovës.