E mërkura e 5 marsit të vitit 2014, 12 vjet më parë, shënoi fillimin e një kapitulli të ri në historinë e futbollit kosovar, që shpërtheu izolimin shumëvjeçar dhe të padrejtë.
Stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë ishte i mbushur i tëri me 17 mijë shikues, të cilët po përkrahnin Kosovën në miqësoren e parë ndërkombëtare, të cilat u lejuan nga FIFA.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ndeshja miqësore kundër Haitit në stadiumin “Adem Jashari” shënoi fillimin e rrugëtimit tonë zyrtar nën patronazhin e FIFA-s. Nga ai barazim pa gola nisi marshimi drejt pranimit në UEFA dhe FIFA, që u kurorëzua në vitin 2016, si dhe drejt sukseseve që sot na bëjnë krenarë”, shkruan Federata e Futbollit e Kosovës.
Në fushë Kosova e udhëhequr nga kapiteni i atëhershëm, Anel Rashkaj, kishte dominuar ndaj Haitit, por pa konkretizim.
“Kam nisur nga viti 2008 të grumbullohem me Kosovën edhe pse nuk kemi zhvilluar ndeshje zyrtare. Ka qenë pritje e gjatë nga viti 2008 deri në vitin 2014 për ndeshje zyrtare. Dëshira ka qenë e madhe të luajmë ndeshje zyrtare. Kur erdhi momenti të luajmë ndeshjen e parë zyrtare, ka qenë ndjenjë e mirë. Nuk ka qenë moment i madh vetëm për futbollin, por për gjithë shtetin. Ka qenë hap i madh për futbollin dhe shtetin tonë”, ka thënë ish-kapiteni i Kosovës.

Rashkaj tani ka një rol tjetër te Kosova, përkatësisht Kosovës U19. Rashkaj është ndihmës i selektorit të U19 të Kosovës, Albert Bunjakut. Bunjaku po ashtu luajti kundër Haitit.
Ndaj Haitit kishte luajtur edhe drejtori sportiv i Përfaqësueses së Kosovës, Samir Ujkani.
“Gjithçka ka qenë e paharrueshme. E kemi shijuar çdo moment. Që nga udhëtimi drejt Mitrovicës me autobus. Kemi parë kolona të gjata dhe flamuj të shumtë. Kemi parë njerëz të shumtë që kanë pritur rrugëve dhe afër stadiumit. Atë ditë kemi kuptuar më shumë se sa peshë të madhe kishte ndeshja e parë zyrtare. Janë momente që nuk harrohen. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Munguan vetëm golat, por rezultati nuk ishte në plan të parë”, ka theksuar Rashkaj.
Ai zbulon se si u ishte drejtuar si kapiten lojtarëve para ndeshjes kundër Haitit.
“Kemi diskutuar që është moment historik për të gjithë ne. Moment që duhet ta përjetojmë dhe të japim gjithçka nga vetja, pasi këto momente nuk kthehen më. Për mua është ndjenjë dhe krenari që kam qenë pjesë e Kosovës si futbollist i asaj ndeshjeje dhe ndeshjeve të tjera. Ajo ndeshje do të mbahet mend, sepse shënon edhe fillimin e një ëndrre të madhe”, thotë Rashkaj.
Kosova zhvilloi më vonë edhe miqësore të tjera, me kombëtare të njohura si Turqia apo Senegali, deri kur futbolli i Kosovës u pranua në UEFA dhe FIFA, dy vjet më pas, në maj të vitit 2016.

Por ajo miqësore mbetet e veçantë dhe pjesë e rëndësishme e historisë. Aty edhe nisi ëndrra për kualifikim në një ngjarje të madhe.
Është dy ndeshje larg arritjes historike – kualifikimit në Kupën e Botës 2026.
Kosova më 26 mars zhvillon ndeshjen gjysmëfinale të plejofit kualifikues për Botërorin që mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Përballet me Sllovakinë në Bratislavë. Nëse kalon Sllovakinë, në “Fadil Vokrri” në Prishtinë më 31 mars e luan finalen ndaj Turqisë apo Rumanisë.

Haiti, përfaqësuesja e vendit ishull në Karaibet e largëta, ka siguruar kualifikimin në Botëror. Është në grup me Brazilin, Marokun dhe Skocinë.
Kosova nëse kualifikohet do të jetë me SHBA-në, Paraguain e Australinë në Grupin D.