Vitin e kaluar, pas një edicioni pa trofe dhe pas largimit të Lionel Messit, Barcelona mori vendimin e rrezikshëm për të shitur një pjesë të fitimeve të së ardhmes në këmbim të parave të shpejta që mund të shndërroheshin në transferime të menjëhershme.
Grupi i lojtarëve që mbërritën në “Camp Nou” përfshinte edhe Robert Lewandowskin dhe Raphinhan, të ngarkuar për ta forcuar sulmin që ishte i dobët pas largimit të Messit.
Lewandowski nuk zhgënjeu. Ish-sulmuesi i Bayern Munichut mori rolin e liderit të ekipit dhe nuk ka reshtur së shënuari përballë mbrojtjeve kundërshtare në ligën spanjolle. Ndërkohë Raphinha shpejt u bë opsion i dytë për trajnerin e Barcelonës, Xavi Hernandez, i cili favorizoi të kishte Ousmane Dembelen si anësor të djathtë për të shoqëruar Lewandowskin.
Por një derë u hap për brazilianin javën e kaluar kur Dembele lëndoi muskulin në kofshën e majtë, pikërisht kur po shijonte sezonin më të mirë te Barcelona. Raphinha shfrytëzoi maksimalisht mundësinë e tij të mërkurën mbrëma, kur shënoi golin e epërsisë në fitoren 2:1 ndaj Real Betis, që mbajti epërsinë e Barcelonës në renditje. Lewandowski shtoi një tjetër gol për të çuar numrin e tij në ligë në 14 gola.
Goli i shënuar duhet të ndihmojë Raphinhan të mbajë vendin e titullarit kur Barcelona pret Sevillan që po lufton për mbijetesë, të dielën. Duke përdorur një pjesë të parave që i mori nga shitja e të drejtave të ardhshme televizive dhe aseteve të tjera, Barcelona i pagoi Leedsit 60 milionë euro për Raphinhan dhe nënshkroi kontratë me brazilianin deri në vitin 2027. Në prezantimin e tij në gusht, presidenti i klubit, Joan Laporta nuk mund të mos kujtonte brazilianët e mëdhenj që kanë luajtur për Barcelonën, përfshirë Neymarin, Ronaldinhon, Rivaldon dhe Ronaldon.
“Loja e bukur është kthyer te Barcelona”, tha Laporta.
Por Raphinha nuk arriti të prodhonte dhe të shkaktonte probleme në mbrojtjet kundërshtare sikurse Dembele, pavarësisht shpejtësisë dhe driblimit të tij. Në vend të kësaj, ai kishte probleme në situatat një me një dhe ishte i prirë për të humbur topin. Duke marrë parasysh lojtarët e tjerë sulmues që Xavi ka në skuadrën e tij, përfshirë reprezentuesit e Spanjës, Ferran Torres e Ansu Fati, dhe situatën e qëndrueshme financiare të lidhur me paratë e shpenzuara për Raphinhan, transferimi i tij filloi të dukej si një “shpenzim i diskutueshëm”.
Mirëpo, një ditë pas golit në Betis, Xavi nënvizoi se Raphinha ofron dy gjëra të rëndësishme: finalizimin dhe ndihmën në mbrojtje duke bërë presion për të rikuperuar topin.
“Ai ishte vendimtar”, tha Xavi për Raphinhan. “Ai punon për të gjithë ekipin. Ai është shumë i rëndësishëm, si Roberti. Unë jam i kënaqur me të dhe besoj se do të vazhdoj me këtë formë edhe në ndeshjet e tjera”.
Ky ishte goli i pestë për Raphinhan me fanellën e Barcelonës, ndërsa ka shtuar edhe shtatë asistime. Fitorja ndaj Betisit në ndeshjen e mbetur të xhiros së 17-të të La Ligas e ndihmoi Barcelonën të arrinte shifrën mbresëlënëse prej 50 pikësh në mes të edicionit. Barcelona e ka fituar ligën katër herë pasi ka arritur në 50 ose më shumë pikë pas 19 ndeshjesh të zhvilluara. Nuk arriti ta ngrinte trofeun vetëm në edicionin 2013/14.
“Po kalojmë një moment të mirë dhe unë jam i kënaqur me formën time”, tha Raphinha. “Pikët janë rezultat i përpjekjeve tona. Ne mbetemi të sigurt për pjesën tjetër të sezonit”.