Futboll

Raphinha: Shumë njerëz e dëshironin largimin tim

Raphinha

Sulmuesi brazilian, Raphinha, e kishte menduar largimin nga skuadra e Barcelonës pas përfundimit të edicionit 2023/24. Largimin e tij e dëshironin edhe shumë tifozë por edhe drejtuesit e Barçës nuk ishin të kënaqur me paraqitjet e brazilianit.

Kështu ka deklaruar Raphinha të premten në një intervistë për mediumin spanjoll “Sport”.

Në atë kohë Barçën e drejtonte tekniku spanjoll, Xavi. Pas emërimit të Hansi Flickut, Raphinha ndryshoi mendje dhe vendosi që të qëndronte edhe më gjatë te gjiganti katalunas.

“Nuk mendoj se isha vetëm unë, shumë njerëz donin që unë të largohesha nga Barça. Shumë tifozë, ndoshta në bord nuk ishin të kënaqur me atë që po bëja. Unë mendoj se nëse nuk je i mirëpritur në një vend, është më mirë të mos jesh aty”, ka thënë Raphinha.

28-vjeçari luajti rol të rëndësishëm në sukseset e Barçës këtë edicion.

Barça e fitoi La Ligan, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës.

Raphinha në edicionin 2024/25 u paraqit në 57 ndeshje. Realizoi 34 gola dhe bëri 25 asistime. Është kandidat serioz që ta fitojë edhe “Topin e Artë”.

Javën e kaluar, Raphinha e vazhdoi kontratën me Barcelonën. Ai pjesë e gjigantit spanjoll do të jetë deri në verën e vitit 2028.