Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, ka deklaruar se skuadra që ai drejton kërkon vetëm fitore përballë Connah’s në Ligën e Konferencës.
Sipas tij, Prishtina ka ekip më cilësorë dhe synon kalimin në raundin e tretë.
“Nesër kemi një kompeticion të ri. Hera e parë për të dyja ekipet, pasi është edhe garë e re. Kemi rritur eksperiencën. Përballë kemi një kundërshtarë që do të jetë një kundërshtarë më ndryshe nga ekipi që patëm në Ligën e Kampioneve. Një ekip mbrohet shumë mirë, nuk sulmon. Ndoshta u mungon edhe atyre eksperienca e duhur. Ne duhet të futemi me seriozitetin më të madh për ta fituar këtë ndeshje dhe për ta bërë punën më të qetë para ndeshjes së kthimit. E njohim mirë kundërshtarin, e kemi parë ndeshjen e fundit të tyre. E kemi studiuar. I dimë pikat më të forta dhe më të dobëta të kundërshtarit. Jemi më të mirë dhe atë kualitet që kemi, duhet ta shfaqim në fushë”, tha Ramadani.
Ai shtoi se motivi është i madh. Sipas tij, Prishtina do të heq dorë nga loja e bukur për të arritur objektivin.
“Motivi është i madh. Mendoj që jemi të barabartë, nuk jemi si ndaj Ferencvaroshit që ishte favorit absolut. Objektivi jonë është ta kalojmë këtë raund, e jo vetëm për të luajtur. Do të heqim dorë nga loja e bukur. Objektivi kryesor do të jetë kalimi i këtij raundi. Nuk kisha thënë që janë më të përgatitur fizikisht se Fenerencvaroshi. Ky ekip është më ndryshe, luan në mbrojtje. Në ndeshjen e fundit në Armeni nuk kanë dalë fare në sulm. Janë stil ndryshe. Arma e tyre më e fortë janë ndërprerjet, kanë disa lojtarë të gjatë. Do të marrim masa që të ketë sa më pak ndërprerje sa më pak. Jemi më të mirë, edhe pse nuk e llogarisë veten favorit, pasi atë duhet ta tregojmë në fushë”, deklaroi Ramadani.
Ai konfirmoi mungesën e Leonit Abazit, Sabjen Lilajt dhe Qëndrim Zybës. Ramadani theksoi se për çdo dështim, përgjegjësinë do ta marr ai.
Edhe
Prishtina përballë një tjetër kampioni, por në Ligën e Konferencës
Në fund ai shtoi se kthimi i tifozëve në tribuna i ka gëzuar të gjithë.
“Kthimi i tifozëve na gëzon të gjithëve. Do ta kemi përkrahjen e Plisave. Ata e kanë dëshmuar se janë më të mirët. Kjo do të jetë një forcë shtesë për ne. Nesër kemi festë fetare, shpresojmë me fitore të ia urojmë festën. Me përkrahjen e Plisave dhe qytetarëve të Prishtinës do jemi më ndryshe”, përfundoi Ramadani.
Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Connah’s, zhvillohet të martën në “Fadil Vokrri” prej orës 18:00.