Trajneri Zekirija Ramadani në krye të Feronikelit ka debutuar me barazim kundër Dritës.
‘Nikeli’ dhe gjilanasit kanë ndarë pikët duke luajtur baras 1-1, të hënën në ‘Rexhep Rexhepi’ në kuadër të javës së tetë të elitës së futbollit tonë.
Ballafaqimi mes drenicasve dhe ‘bardhekaltërve’ te Gjilanit, ka dhënë një lojë të kënaqshme, ndonëse me iniciativën e lehtë të nikoqirëve, por skuadra mike me angazhim maksimal ia doli që të marrë një pikë të madhe nga ky udhëtim.
Mark Milicaj (12’) zhbllokoi ndeshjen duke kaluar Feronikelin, kurse, për një pikë të Dritës u përkujdes Kastriot Rexha (63’), raporton KP.
Pas këtij barazimi, Feronikeli ka tubuar 11 pikë dhe renditët në mesin e tabelës, kurse, Drita renditet e pesta më 12 pikë.
Ndërkohë, Gjilani i Arbnor Morinës iu është kthyere fitoreve, duke mposhtur Flamurtarin, me rezultat 1-0.
Betim Haxhimusa (65’) shënoi golin e fitores për gjilanasit, të cilët tani ngjitën në vendin e dytë më 14 pikë, tri më pak se lideri i tabelës, Llapi, ndërkaq, Flamurtarit mbetet në vendin e parafundit me vetëm pesë pikë.