Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rahoveci shënon fitoren e katërt në Ligën Unike

KB Rahoveci ka regjistruar edhe fitoren e katërt këtë edicion në kuadër të Ligës Unike. “Vreshtarët”, të mërkurën në ndeshjen e xhiros së dhjetë, e kanë mposhtur Prizrenin-16. Dueli i luajtur në palestrën “Mizahir Isma” është mbyllur me shifrat 98:92 në kuadër të ekipit vendas.

Me këtë fitore, Rahoveci ngrihet në kuotën e 14 pikëve, dy më pak se Prizreni-16 që pësoi humbjen e katërt këtë sezon në Ligën Unike karshi gjashtë fitoreve. Milik Yarbrough me 31 pikë të shënuara ishte më efikasi te Rahoveci, i përcjellë nga Fisnik Rugova me “double-double” prej 24 pikëve e dhjetë kërcimeve e Jervon Pressley (21).

Ndërkohë, Musab Mala kontribuoi me “triple-double” prej 14 pikëve, 11 kërcimeve e 10 asistimeve për triumfin e Rahovecit. Te Prizreni-16, më i dalluari ishte Courtney Fells me 24 pikë e 12 kërcime derisa pikë dyshifrore realizuan edhe Arti Hajdari (20), Ivan Koleviq (18 pikë, 10 kërcime) e Urim Zenelaj (16).

Dueli tjetër i kësaj xhiroje që u zhvillua në të njëjtën kohë, ai ndërmjet Tiranës dhe Vllaznisë së Shkodrës ka përfunduar me fitoren e ekipit vendas me rezultatin 96:82.