Ajo për të cilën po prisnin tifozë të shumtë të futbollit nëpër botë, më në fund është zyrtarizuar të martën mbrëma.
Superylli i futbollit, Lionel Messi, është lojtari i ri i Paris Saint-Germainit, klubit të madh francez. PSG-ja vetëm të martën mbrëma e ka zyrtarizuar angazhimin e Messit. Ai gjatë ditës kishte udhëtuar për në Paris nga Barcelona, kishte kaluar testet mjekësore dhe kishte ngjallur entuziazëm te tifozët e shumtë që ishin grumbulluar në secilin vend ku pritej të paraqitej argjentinasi.
PSG-ja me kënaqësi ka njoftuar se ka firmosur për dy vjet me Messin, me mundësi të vazhdimisht edhe për një vit tjetër.
“Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë konsiderohet legjendë e sportit të tij dhe burim i vërtetë i inspirimit për të gjitha gjeneratat, brenda dhe jashtë fushës”, thuhet në njoftimin e PSG-së.
Një konferencë është paralajmëruar për të mërkurën në orën 11:00, ku pritet të flasë Messi dhe drejtues të klubit aktualisht më të pasur në botë.
Edhe
Henry me lëvdata për Parisin
“Nënshkrimi i Leos rikonfirmon ambiciet e Paris Saint-Germainit dhe ofron për tifozët lojalë të klubit një ekip të jashtëzakonshëm, që premton të sjellë momente të pabesueshme të futbollit gjatë viteve të ardhshme”, vazhdon njoftimi.
Messi ishte larguar mes lotësh nga Barcelona, ku ka bërë histori dhe është shndërruar në ikonë. Parisi është vlerësuar prej klubeve të pakta që ka mundur të mbulojë kërkesën financiare të Messit, i cili megjithatë, kalon pa dëmshpërblim. Kontrata e tij me Barcelonën kishte skaduar. Nuk kishte pritur thuajse askush që 34-vjeçari të ndahej me Barcelonën, por rregullat e La Ligas dhe gjendja financiare e klubit ndau rrugët. Tani Messi është te Parisi dhe klubi francez do të fitojë miliona tifozë të tjerë nëpër botë. PSG-ja ka në përbërje brazilianin Neymar dhe francezin Kylian Mbappe. Ka edhe yje të tjera, por Messi është ylli më i madh. Dhe përfundimisht e dërgon Parisin në një nivel tjetër.
“Jam i padurueshëm për të nisur një kapitull të ri të karrierës sime në Paris”, ka thënë Messi pasi firmosi kontratën.
“Klubi dhe vizioni i tij janë në harmoni perfekte me ambiciet e mia. E di se sa të talentuar janë lojtarët dhe stafi këtu. Jam i vendosur për të ndërtuar, së bashku me ta, diçka të madhe për klubin dhe tifozët. Mezi pres të shkel në fushën e Parc des Princes”, ka shtuar superylli i futbollit.
Drejtuesit e Parisit, që kanë investuar shumë për ta rritur profilin e klubit, vlerësohet se me angazhimin e Messit kanë bërë punë shumë të madhe.
Edhe
Dy tituj të Evropës radhazi, PSG u bashkohet klubeve më të mëdha në histori
“Jam i lumtur që Lionel Messi ka zgjedhur të bashkohet me Paris Saint-Germainin. Ne jemi të lumtur që ta presim Messin dhe familjen e tij në Paris”, ka thënë Nasser Al-Khelaifi, president i Parisit.
“Ai nuk e ka fshehur dëshirën për të vazhduar të paraqitet në nivelin më të lartë dhe që të fitojë trofe. Ambiciet e klubit natyrisht janë të njëjta. Shtimi i Leos në ekipin tonë të klasit botëror konfirmon rëndësinë dhe suksesin e rekrutimit që kemi bërë. Së bashku me trajnerin tonë të shkëlqyeshëm dhe stafin e tij, mezi presim të shohim ekipin tonë duke bërë histori për të gjithë tifozët tanë nëpër botë”, ka shtuar i pari i PSG-së.
Ligue 1 do të fitojë po ashtu miliona adhurues me kalimin e Messit në Francë. Për PSG-në e mbushur me yje nuk pritet të jetë sfidë triumfi në kampionat. Messi dhe të tjerët synimin kryesor do ta kenë Ligën e Kampionëve. Parisi është afruar në dy vjetët e fundit, ndërsa me Messin pritet ta bëjë rrugën përfundimtare deri te trofeu. Të paktën këtë e presin mijëra tifozë që u endën rrugëve të Parisit të martën, me shpresë për ta parë yllin e madh. Natyrisht këtë e presin edhe miliona tifozë të futbollit nëpër botë.
Edhe
Messi nuk e mendon pensionimin
A new ? in Paris!
— Paris Saint-Germain (@PSG_English) August 10, 2021
PSGxMESSI ❤️? pic.twitter.com/scrp1su9a6