Borislav Mihaylov ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Federatës së Futbollit të Bullgarisë për shkak të protestave masive kundër tij.
Lajmi është bërë i ditur të hënën. Vendin e ish-portierit bullgar do ta zërë presidenti i ri që do të zgjidhet në kongresin e Federatës që mbahet vitin tjetër. Mijëra tifozë të futbollit kanë dalë në rrugë në javët e fundit dhe kanë kërkuar dorëheqjen e Mihaylovit, ish-portierit të gjeneratës që shkoi deri në gjysmëfinale të Kupës së Botës në vitin 1994. Protestuesit të pakënaqur me udhëheqjen e Mihaylovit për kohë të gjatë, kërkuan dorëheqjen menjëherë pasi Federata bullgare e futbollit vendosi që ta luajë pa shikues ndeshjen kualifikuese të Evropianit kundër Hungarisë, më 16 tetor.
Presion shtesë për dorëheqjen e tij erdhi edhe nga kryeministri i shtetit, Nikolay Denkov, i cili i shkroi letër edhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, që të marrë “veprime vendimtare” për ta hequr Mihaylovin nga posti i presidentit të federatës. Letra, e cila u publikua në sajtin e Qeverisë, ka cituar “kritikat e grumbulluara prej kohësh dhe pakënaqësitë e klubeve të futbollit”, me udhëheqësin e futbollit në këtë shtet. Po ashtu u përmend se statuti i FIFA-s mundëson shkarkimin e drejtuesve të federatave “në rrethana të jashtëzakonshme”. Të hënën, Mihaylov i hodhi poshtë gjitha pretendimet se ka “kritika nga klubet e futbollit” dhe u ka thënë gazetarëve se arsyeja e vetme e dorëheqjes ishte për “t’i qetësuar të gjithë”. Ai shtoi se dorëheqja nuk është kërkuar nga asnjë klub i futbollit. Mihaylov nuk ka komentuar hetimet që prokuroria bullgare është duke bërë ndaj personat udhëheqës të futbollit bullgar, në veçanti ndaj veprimeve të presidentit të Federatës. Mediat në Bullgari kanë shkruar për një sërë shkeljesh dhe aktivitetesh të mundshme kriminale, përfshirë keqpërdorimet e fondeve publike dhe përfshirjen në skemat e bastvënieve ilegale. Mihaylov ishte zgjedhur për herë të parë president i Federatës në vitin 2005. Përfaqësuesja e Bullgarisë ka pësuar rënie që nga ardhja e tij dhe nuk është kualifikuar në ngjarje të madhe që prej Evropianit të vitit 2004. Mihaylov ishte jashtë detyrës për 18 muaj pasi dha dorëheqje në vitin 2019, pas presionit të Qeverisë. Ai u largua një ditë pasi tifozët bullgarë bënë përshëndetje naziste dhe përdorën fjalë ofenduese racore në drejtim të lojtarëve të Anglisë, gjatë ndeshjes kualifikuese për “Euro 2020” në Sofje.