Federata e Hendbollit e Kosovës vlerëson se i ka bërë të gjitha përgatitjet për Kampionatin Evropian për hendbolliste të reja që të shtunën fillon në Prishtinë. Bëhet fjalë për Evropianin e Divizionit B, për grupmoshën U19. Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) organizon dy kampionate evropiane të divizionit B dhe një kampionat të divizionit A.
Ngjarja në Prishtinë, ndonëse e nivelit të dytë kontinental, vlerësohet shumë e fortë. Ndeshjet luhen në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Katër ndeshjet e para janë të shtunën.
Në Grupin A pos Kosovës janë edhe Sllovakia, Italia, Finlanda dhe Britania e Madhe. Në Grupin B bëjnë pjesë Austria, Polonia, Letonia dhe Izraeli. Pas ndeshjeve në grupe zhvillohen ndeshjet për plasman përfundimtar.
Gjasat që Kosova të renditet në dy pozitat e para në grup dhe kështu të luajë në gjysmëfinale, nuk janë të mëdha. Sllovakia e Italia vlerësohen nivel më i lartë, ndërsa hendbollistet e reja të Kosovës rastin e kërkojnë ndaj Britanisë së Madhe dhe ndaj Finlandës. Edhe në Grupin B gara për dy vendet e para pritet të jetë e fortë, ndonëse Austria e Polonia janë favorite të mëdha.
Në kuadër të Grupi A, të shtunën prej orës 12:15 është ndeshja Finlanda – Britania e Madhe. Kjo ndeshje edhe e hap Evropianin. Sllovakia e Kosova takohen prej orës 19:30. Në kuadër të Grupit B, Austria e Letonia luajnë prej orës 14:30. Ndërkohë Polonia e Izraeli takohen prej orës 16:45.
Përfaqësuesja U19 e Kosovës ka luajtur dy miqësore me Bullgarinë. Në njërën barazoi e në tjetrën pësoi për një gol. Muaj më parë, Kosova nga Bullgaria kishte pësuar me rezultat të lartë. Përfaqësuesja është përgatitur në Gjakovë dhe në Prishtinë dhe selektori Agron Shabani vlerëson se hendbollistet janë gati.
“Puna ka shkuar mirë. Kemi bërë përgatitje për të cilat kishte nevojë, pasi kampionati ka përfunduar më herët për këto vajza. Do të japim maksimumin”, ka thënë Shabani.
Evropiani në Prishtinë përfundon më 16 korrik. Evropiani tjetër i Divizionit B zhvillohet në Lituani.