Skuadra e Prishtinës do të luajë në ndeshjen e Superkupës pa disa prej lojtarëve kryesorë të sezonit të shkuar.
Prishtina, në një njoftim ka thënë se do t'i mungojnë të suspenduarit Armend Dallku e Debatik Curri dhe i transferuari nga Liria, Meriton Korenica.
Ndeshja e Superkupës do të luhet të hënën në stadiumin e qytetit të Prishtinës "Fadil Vokrri" (20:00) dhe përballë Prishtinës do të jetë kampionia në fuqi, Drita.
Në të vërtetë, edhe sikur të mos ishte i suspenduar, Curri nuk do të luante, pasi ditë më parë ka njoftuar se po tërhiqet nga futbolli aktiv. Po ashtu, Dallku ka bërë të ditur se i ka skaduar kontrata me Prishtinën dhe se nuk është i sigurt se do të vazhdojë të veshë fanellën bardh e kaltër.
"Suspendimi më i çuditshëm është i Korenicës. Ai me Lirinë ka marrë 4 kartonë të verdhë dhe sipas rregullave, Superkupa ka trajtimin e ndeshjes së fundit kampionale të edicionit paraprak", thuhet në njoftimin e klubit Prishtina.