Kampionia e Kosovës në futboll, Prishtina, e ka mësuar emrin e kundërshtarit me të cilin do të përballet në raundin e dytë të Ligës së Konferencës. Është kampioni i Uellsit, Connah’s Quay Nomads që do të jetë kundërshtari i Prishtinës në Ligën e Konferencës.
Ekipi uellsian u eliminua në raundin e parë të Ligës së Kampionëve nga Alashkerti i Armenisë. Në ndeshjen e kthimit të luajtur në Armeni, uellsianët e humbën me rezultatin minimal 1:0 pas vazhdimeve, pasi në duelin e parë të luajtur para një jave në Uells kishin barazuar 2:2.
Ndeshja e parë mes Prishtinës dhe Connah’s Quay Nomads, do të luhet më 20 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” prej orës 18:00.
Prishtina u eliminua në raundin e parë të Ligës së Kampionëve pas humbjes së përgjithshme 6:1 në dy përballjet me Ferencvaroshin, por aventurën evropiane do ta vazhdojë në Ligën e Konferencës, që i bie të jetë niveli i tretë i garave të UEFA-s.