Basketbollistet e Prishtinës do të udhëtojnë në Pejë me një synim të vetëm, ta mposhtin Penzën dhe të barazojnë në 2:2 serinë finale të plejofit në Superligën e femrave. Aktualisht, Penza po avancon 2:1 në seri dhe fitorja në ndeshjen e katërt do të bënte ta mbronte titullin e kampionit që e fitoi sezonin e shkuar. Dueli mes Penzës dhe Prishtinës zhvillohet të premten në palestrën “Karagaçi” në Pejë prej orës 20:30. Te Prishtina, optimizmi është i madh se titulli i kampionit do të vendoset në ndeshjen e pestë, që do të luhet javën e ardhshme në kryeqytet. Ndërsa te Penza nuk duan ta zgjasin këtë seri, të cilën duan ta mbyllin me ndeshjen e katërt.
Trajneri i Prishtinës, Fidan Shatri, të enjten, ka thënë për KOHËN se pret paraqitjen më të mirë të lojtareve të tij në duelin e pestë, i cili duhet patjetër të fitohet. Sipas tij, kjo është ndeshja më e rëndësishme deri më tani për Prishtinën në këtë edicion. Në fakt, Prishtina stinorin e rregullt e ka përfunduar në krye të tabelës me të gjitha ndeshjet e fituara. Në serinë gjysmëfinale, Prishtina eliminoi Trepçën (2:0), ndërsa Penza ishte më e mirë se Bashkimi (2:1).
“Kemi pasur një sezon shumë të mirë, pa asnjë humbje dhe kemi mposhtur Penzën në katër ndeshjet direkte të pjesës së rregullt. Mendoj se rezultati aktual na ka zënë të relaksuar pas atyre ndeshjeve të mira që i patëm në kampionat, duke pësuar në dy duelet e para finale nga Penza”, ka thënë Shatri. “Ndeshja e katërt në Pejë, normalisht që do të jetë më e rëndësishmja për ne këtë sezon. Dhe, unë besoj shumë në lojtaret e mia, që janë të vetëdijshme për këtë ndeshje dhe besoj se do të jetë paraqitja e tyre më e mirë deri më tani. Andaj, siç e kemi vërtetuar gjatë tërë sezonit që jemi ekipi më i mirë, besoj që kjo do të vërtetohet edhe të premten. Shpresoj që të mos e biem pre e presioneve të ndryshme dhe nëse luajmë lojën tonë, atëherë të hënën do të jetë një ngjarje e madhe në ndeshjen e pestë në Prishtinë”.
Skuadra e Prishtinës tashmë e ka fituar një trofe këtë edicion, atë të Ligës Unike dhe është në kërkim të titullit. Në anën tjetër, Penza po ashtu ka fituar trofe këtë sezon – Superkupën e Kosovës dhe atë Mbarëkombëtare. E kapitenia e Penzës, Valbona Bytyqi, po beson se trofeu i tretë do të arrihet të premten mbrëma. Sipas saj, Penza do të luftojë deri në fund për ta fituar këtë përballje pasi nuk dëshiron që serinë finale ta dërgojë në ndeshjen e pestë, e cila do të luhej në Prishtinë.
“Besoj shumë në ekipin dhe bashkëlojtaret, që do të japim gjithçka nga vetja në mënyrë që titullin e kampionit ta festojmë në Pejë. Është finale, nuk kemi çfarë të humbim për shkak se jemi në epërsi dhe presioni është te Prishtina. Pres që palestra të jetë e stërmbushur për të qenë avantazh i ekipit tonë”, është shprehur Bytyqi. “Prishtina assesi nuk është skuadër që duhet nënvlerësuar për shkak se ka dëshmuar gjatë tërë kampionatit se është e fortë. Por, edhe ne do të luftojmë deri në fund që të mos e dërgojmë këtë seri në ndeshjen e pestë”.