Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Prishtina fiton derbin lokal me Flamurtarin

Prishtina e ka mposhtur Flamurtarin, me rezultat 3-1, të shtunën në “Rexhep Rexhepi” në derbin e javës së 13-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Futbollistët e Prishtinës edhe në duel me rivalen e kryeqytetit, vazhduan më formën e mirë, duke arkëtuar edhe tri pikë të mëdha në garën për titull të kampionit, raporton KosovaPress.

Armend Dallku (4’) nga penalltia zhbllokoi ndeshjen duke kaluar skuadrën “bardhekaltër” në epërsi prej 1-0.

Flamurtari mirë e nisi pjesën e dytë, dhe përmes Mërgim Boshnjakut (49’) barazoi shifrat në 1-1. Nuk voni shumë dhe Debatik Curri (58’) shënoi më kokë për të kaluar për të dytën herë Prishtinën në avantazh prej 2-1, kurse, Mërgim Pevqeli (72) u përkujdes për golin e tretë për skuadrën e Mirel Josës.

Pas kësaj fitore, Prishtina rikthehet në krye të tabelës me 25 pikë, dy më shumë së Llapi, kurse, Flamurtari mbetet e parafundit me vetëm shtatë pikë të grumbulluara.