Gara në Superligën e Kosovës në basketboll vazhdon menjëherë të mërkurën kur janë dy ndeshjet e para të xhiros së 23-të.
Derbi i kësaj xhiroje zhvillohet në Prishtinë, të mërkurën, nga ora 19:00. Përballen Sigal Prishtina e Trepça. Është përsëritje e finales së Kupës, të cilën mitrovicasit e fituan me rezultat të ngushtë. Finalja në fakt ishte dramatike, ndërsa Prishtina pati aksionin e fundit për të barazuar rezultatin e më pas edhe gjuajtje për tri pikë për fitore. Por, nuk realizoi dhe kështu fitorja dhe trofeu u takuan mitrovicasve.
Ajo humbje nuk është kaluar lehtë nga klubi prishtinas. Pasoi një humbje kundërthënëse nga Peja në kuadër të Ligës Ballkanike, javën e kaluar. Pati tension në fund të ndeshjes që ishte zhvilluar në Gjakovë, ndërsa Liga Ballkanike kishte pranuar se arbitrat nuk dhanë faull vendimtar në të mirë të Prishtinës. Peja kishte festuar në fund. Ndërkohë të dielën Prishtina pësoi humbje shokuese në udhëtim nga Proton Cable Prizreni. Ndeshja në Prizren kishte përfunduar 94:91 për skuadrën vendase. Sfida u vendos pas vazhdimit prej pesë minutave. Prishtina kishte mungesa të rëndësishme në atë ndeshje të fundjavës.
Trepça është në moment krejt tjetër. Është në seri prej 15 fitoreve në kampionat. Të dielën fitoi me rezultat shumë të thellë ndaj Istogut, 140:48. Trepça udhëheq në tabelë me 42 pikë. Prishtina është e treta me 36 pikë.
Skuadra mitrovicase ka fituar tri ndeshjet e këtij edicioni ndaj Prishtinës.
Të mërkurën është edhe ndeshja mes Pejës dhe Proton Cable Prizrenit. Peja e Prizreni takohen në Gjakovë për shkak të telasheve me semafor në palestrën “Karagaçi”.
Kampionia në fuqi, Peja, llogaritet favorite. Por prizrenasit udhëtojnë të motivuar nga fitorja ndaj Prishtinës. Peja është e dyta me 38 pikë, ndërsa Prizreni i shtati me 29 pikë.
Të enjten janë ndeshjet Istogu – Golden Eagle Ylli (17:00) dhe Vëllaznimi – Bashkimi (19:00).
Deri në fund të stinorit të rregullt kanë mbetur edhe gjashtë xhiro.
Superliga në basketboll – XXIII
E mërkurë
Peja – P.C. Prizreni (19:00)
S. Prishtina – Trepça (19:00)
E enjte
Istogu – G.E. Ylli (17:00)
Vëllaznimi – Bashkimi (19:00)
1 Trepça 22 42
2. Peja 22 38
3. S. Prishtina 22 36
4. G.E. Ylli 22 35
5. Vëllaznimi 22 30
6. Bashkimi 22 30
7. P. C. Prizreni 22 29
8. Istogu 22 23