Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Presidenti i Torontos thotë se e transferoi Insignen falë uebfaqes “Transfermakt”

Sulmuesi italian Lorenzo Insigne po llogaritet si transferimi më i madh i skuadrës së Torontos që bën gara në MLS.

Ditë më parë, ekipi nga Kanadaja ka konfirmuar se ka firmosur parakontrata me Insignen, i cili do t’i bashkohet Torontos më datën 1 korrik.

Ai te Toronto do të transferohet si lojtar i lirë dhe do të ketë një pagë vjetore prej shtatë milionë eurosh. Mirëpo, presidenti i Torontos, Bill Manning e ka falënderuar uebfaqen “Transfermarkt” për transferimin e Insignes.

“Verën e shkuar u futa në uebfaqen ‘Transfermarkt’ dhe e shikova faqen e Përfaqësueses së Italisë që sapo kishte triumfuar në Kampionatin Evropian. Doja të shihja se cilit lojtarë të Italisë do t’i përfundonte kontrata. Lorenzo ishte njëri prej tyre”, ka thënë Manning. “Në fakt, Lorenzo ishte i parë në listë dhe unë isha i mahnitur nga paraqitjet e tij. Kështu që, vendosa që ai të jetë transferimi i parë këtë vit. Lorenzo është një lojtar, të cilin njerëzit do të duan ta shohin. Falë tij, do të kemi shumë shikues në stadium”.

Insigne ka firmosur kontratë katërvjeçare me Toronton.