Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Presidenti i Brazilit nuk e do Ancelottin për selektor

Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, kritikoi emërimin e Carlo Ancelottit në postin e selektorit të përfaqësueses braziliane. Presidenti i Brazilit tha se do të ishte më mirë që Ancelotti të zgjidhte problemet e Përfaqësueses së Italisë.

Italiani Ancelotti, i cili ka fituar katër herë Ligën e Kampionëve si trajner, do të marrë drejtimin e Brazilit përpara Kupës së Amerikës që mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në qershorin e vitit të ardhshëm. Ancelotti, që është shumë i vlerësuar në futbollin evropian, ka vendosur ta respektojë deri në fund kontratën me skuadrën e Real Madridit.

“Unë e admiroj Ancelottin, por ai kurrë nuk ka qenë trajner i përfaqësueses së Italisë”, tha Lula për stacionin televiziv SBT të premten.

Presidenti 77-vjeçar nuk i kurseu kritikat ndaj Ancelottit, i cili me zejen e trajnerit ka nisur që në vitin 1992. Ancelotti fillimisht punoi si asistent te Italia, për të vazhduar me drejtimin e klubeve si Reggiana, Parma, Juventus, Milan, Chelsea, Paris Saint-Germain, Bayern Munich, Napoli e Everton.

“Pse Ancelotti nuk e zgjidh problemin e Italisë, e cila nuk u kualifikua në Botërorin 2022? Kështu që nuk është logjike të vijë te Brazili që ka synime të mëdha”.

Edhe Romario kërkon shkarkimin e Ancelottit Botërori 2026 2 j. më parë Romario kërkon shkarkimin e Ancelottit

Deri në ardhjen e Ancelottit te Brazili, federata braziliane ka njoftuar se trajneri aktual i Fluminenses, Fernando Diniz, do të jetë në krye të përfaqësueses. Ai do ta drejtojë Brazilin në ndeshjet e para kualifikuese të Kampionatit Botëror të vitit 2026, i cili do të mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë.

“Unë jam fans i madh i Dinizit”, tha Lula. “Ai ka personalitetin, kreativitetin dhe është ai që komandon zhveshtoren”.

Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) ka zgjedhur 64-vjeçarin Ancelotti duke besuar se është një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e futbollit evropian dhe do t'u japë brazilianëve trofeun e tyre të gjashtë të Kupës së Botës, por që do të jetë i pari që nga viti 2002. Dëshira te Brazili që të triumfojë në Botërorin e vitit 2026 është edhe më e madhe, pasi rivalja e madhe, Argjentina, triumfoi në turneun e vitit të shkuar që u mbajt në Katar. Në Botërorin e Katarit, Brazili u eliminua në çerekfinale, ndërsa selektori Tite menjëherë dha dorëheqje nga posti i tij.

Presidenti Lula tha se do të kishte dëshirë ta shihte Ancelottin të punonte me një ekip brazilian që rrezikon rënien nga elita, përpara se të merrte drejtimin e Brazilit. Sipas tij, Ancelotti e ka të lehtë ta drejtojë një skuadër si Reali.

“Është shumë e lehtë të drejtosh një klub në Evropë me 11 lojtarë ndërkombëtarë në skuadër”, tha Lula.

“Ajo që është e vështirë është të vish këtu dhe të stërvitesh Corinthiansin, që rrezikon të bjerë nga elita. Do të doja të shihja nëse Ancelotti bëri një punë të mirë me Corinthians”.

Lula është pesimist i madh për Brazilin sa i përket Botërorit të vitit 2026. Ai insistoi se pavarësisht se cili do të jetë trajneri, Brazili do të ketë vështirësi të madhe në ciklin eliminator të Kampionatit Botëror me brezin aktual të lojtarëve që ka në dispozicion.

Edhe Ancelotti mbetet selektor i Brazilit Botërori 2026 2 j. më parë Ancelotti mbetet selektor i Brazilit

“Problemi nuk është Diniz, problemi është që ne sot nuk posedojmë nivelin e lojtarëve që kishim në periudhat e mëparshme”, tha presidenti Lula.

Ancelotti do të jetë vetëm trajneri i katërt i huaj që do ta drejtojë Përfaqësuesen e Brazilit. I fundit ishte argjentinasi Filipo Nunez, i cili ishte në krye të Brazilit për vetëm një ndeshje në vitin 1965.