Përzgjedhësi i Kosovës U-21, Rafet Prekazi ka komentuar eliminimin e sotëm të Prishtinës.
Ai ka kritikuar skuadrën e Prishtinës për mos guxim në sfidën e sotme ndaj Folas, që në penalti siguroi kualifikimin në raundin e dytë të Ligës së Evropës.
“Nuk u shfrytëzua rasti ideal, Prishtina një ekip pa përvojë, e kundërshtari që ka qartësi e fokus. Nëse një ndeshje luhet për 210 minuta pa shënuar gol atëherë do të thotë shumë, edhe nëse e ke dominuar atëherë ai është dominim shterp. Mendoj që penaltitë i kanë humbur lojtarët që nuk kanë përvojë. Dhe që nuk kanë pasur minutazhë të madhe. Prishtina ka lëshuar një rast që i vjen rrallë një skuadre për të shkuar tutje. Mendoj se Prishtina nuk ka guxuar të lëshohet, dhe mendoj se ka lojtarë që nuk e meritojnë për Prishtinën. Kualiteti i lojës ishte mungesë te Prishtina”, është shprehur Prekazi, transmeton Koha.net.
Kurse trajneri i Gjilanit, Arbnor Morina ka thënë se lojtarët e Prishtinës kishin një ngarkesë shumë të lartë, por vlerësoi shumë paraqitjen e portierit, Visar Bekaj, i cili priti tri penalti por edhe në disa raste u tregua vendimtar.
“Ngarkesa ka qenë shumë e lartë te lojtarët e Prishtinës, të cilët kanë menduar se pas barazimit në udhëtim do ta mbyllin brenda 90 minutave takimin e sotëm. Ngarkesa e madhe ka bërë që ekipi të mos e shfaq atë që mundet. Bekaj ka treguar një paraqitje të lartë sot”, ka thënë Morina.
portieri i Prishtinës, Visar Bekaj ka thënë se, “kemi pasur disa raste, sidomos në pjesën e parë. Por, ndodhi kjo dhe nuk është fundi i botës duhet të vazhdojmë”.