Trajneri i Gjilanit, Gentian Mezani ka thënë se ekipi i tij kishte përballë një ekip me cilësi. Gjilani e Prishtina barazuan 1:1, të premten.
Sipas Mezanit, Gjilani e ka merituar fitoren në bazë të asaj që ka shfaqur. Por ai ka pranuar edhe pikën e fituar.
“E dinim që kishim përballë një skuadër me cilësi, që do të na vinte në vështirësi me topa të gjatë. Skuadra kundërshtare kthehet shpejt dhe mbrohet me shumë lojtarë, por edhe del shpejtë duke shfrytëzuar shpejtësinë që kanë lojtarët. Sot kemi pasur përballë një skuadër ndaj të cilës shënohet shumë vështirë. Mendoj se Prishtina mbrohet si skuadër dhe kjo e bën më të vështirë shënimin e golit. Ne megjithatë arritëm të zhbllokonim ndeshjen. Nuk patëm rast ta shënonim golin e dytë më pas. Kemi luftuar në pjesën e dytë më shumë dhe kemi kërkuar më shumë. Një pakujdesi na kushtoi me pranimin e golit. Nuk ka qenë rezultat i drejtë në bazë të asaj që u shfaq, por e marrim këtë pikë dhe shikojmë përpara”, ka theksuar Mezani.