Fituesja e ndeshjes Rusia – Polonia do të duhej të luante me Suedinë apo Çekinë për një vend në Botërorin 2022. Në Federatën polake thonë: “Nuk ka më fjalë, është koha të veprojmë”. Federata polake, po ashtu, ka ofruar që t’i organizojë të gjitha ndeshjet e Ukrainës si vendase. Suedia dhe Çekia refuzojnë të luajnë me Rusinë edhe në vend neutral
Polonia, Suedia dhe Çekia refuzojnë të luajnë ndeshje me Rusinë në plejofin për kualifikim në Botërorin 2022. Ndeshjet duhet të luhen në mars, ndërsa vendimi është marrë për shkak të luftës së Rusisë për ta pushtuar Ukrainën.
Polonia duhet të luajë në Rusi më 25 mars, ndërsa fituesja duhet të përballet me Suedinë apo Çekinë katër ditë më vonë për një vend në Botërorin që mbahet në Katar në nëntor.
Suedia ka bërë të ditur se nuk do të luajë me Rusinë në asnjë vend dhe ka kërkuar nga FIFA që ta anulojë ndeshjen e Rusisë me Poloninë.
Të dielën, Federata e Futbollit e Çekisë ka thënë se nuk do të luajë ndeshje me Rusinë, pavarësisht vendit, dhe ka bërë thirrje për fundin e luftës në Ukrainë.
Federata e Polonisë, gjithashtu, ka ofruar që të jetë nikoqire e të gjitha ndeshjeve të Ukrainës si vendase, për aq kohë sa kjo përfaqësuese të mos jetë në gjendje të luajë në territorin e saj.
Edhe
Suedia frikësohet se përjashtimi i Rusisë do ta ndihmojë Poloninë
Ukraina duhet të luajë me Skocinë në plejof për Botërorin 2022. Ndeshja duhet të luhet në Glasgow më 24 mars. Fituesi do të luajë me Uellsin apo Austrinë në Kardif apo në Vjenë, më 29 mars.
Sipas shortit, Rusia do të jetë nikoqire e finales së plejofit, nëse e fiton ndeshjen me Poloninë.
“Nuk ka më fjalë, është koha të veprojmë. Për shkak të përshkallëzimit të agresionit të Federatës ruse ndaj Ukrainës, ekipi përfaqësues i Polonisë nuk ka ndërmend ta luajë ndeshjen e plejofit ndaj Rusisë”, ka thënë një zëdhënës i Federatës së Futbollit të Polonisë për “Sky Sports”.
“Ky është vendimi i vetëm i drejtë. Jemi në bisedime me Federatat e Suedisë dhe Çekisë për të pasur një qëndrim të përbashkët në FIFA”.
Lojtari kryesor i Polonisë, Robert Lewandowski, ka shkruar: “Është vendim i drejtë. Nuk mund të imagjinoj të luaj ndeshje me ekipin përfaqësues të Rusisë në një situatë kur agresioni i armatosur në Ukrainë vazhdon. Lojtarët dhe tifozët e Rusisë nuk janë përgjegjës për këtë, por nuk mund të sillemi sikur asgjë nuk po ndodh”.
Edhe
Suedia i bashkohet Polonisë, refuzon të luajë ndaj Rusisë
Në komunikatën e Federatës së Futbollit të Çekisë shkruan: “Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Çekisë, anëtarët e stafit dhe lojtarët e ekipit nacional janë pajtuar se nuk është e mundur të luajnë ndaj Rusisë në situatën aktuale. Madje, nuk është e mundur as në vend neutral. Ne të gjithë duam që lufta të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”.
Një zëdhënës i FIFA-s ka thënë se janë duke e monitoruar gjendjen dhe një informatë për ndeshjet mund të jepet së shpejti.
Mbrojtësi polak i Aston Villas, Matty Cash, ka shpërndarë një komunikatë në emër të lojtarëve të tjerë të përfaqësueses. Ai ka shkruar se një bashkëlojtar te Polonia, Tomasz Kedziora, që luan për Dinamo Kievin, është ende në Ukrainë.
“Ne lojtarët e përfaqësueses së Polonisë, së bashku me Federatën e Futbollit të Polonisë, kemi vendosur se si rezultat i agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, nuk e kemi ndërmend të luajmë ndeshjen e plejofit ndaj Rusisë”, ka shkruar Cash.
Edhe
Lewandowski: Nuk mund ta imagjinoj të luaj me ekipin rus
“Nuk është një vendim i lehtë, por ka gjëra më të rëndësishme në jetë se futbolli. Mendimet tona janë me popullin ukrainas dhe me shokun tonë nga ekipi nacional, Tomasz Kedziora, që është ende në Kiev me familjen e tij”.
Stadiumet e futbollit në të gjithë Evropën janë shfrytëzuar së fundi për ta dënuar agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.