Rezultatet e dobëta të Prishtinës kanë nxitur reagimin e tifozëve të kësaj skuadre, “Plisat”. Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Prishtina, të dielën humbi 2:0 nga Ballkani në derbin e xhiros së 20-të të Superligës.
Dhe pas ndeshjes, grupi i tifozëve “Plisat” ka marrë fanellat e lojtarëve të Prishtinës. Plisat kanë publikuar një video nga momenti kur marrin fanellat e lojtarëve. Nuk shihet qartë nëse fanellat janë marrë direkt nga lojtarët apo pasi ata i kanë lënë në ambiente të klubit.
Ndeshja mes Prishtinës e Ballkanit është luajtur në Podujevë për shkak të renovimit të fushës së stadiumit të Prishtinës.
Plisat kanë shkruar se fanella e Prishtinës djersitet e nuk përlyhet.
“KF Prishtina sivjet feston 100 vjetorin. Historia një shekullore assesi nuk guxon të përlyhet, sidomos në këtë mënyrë. Plisat dhe gjithë simpatizuesit e klubit të zemrës, Prishtinës, nuk ia kanë borxh askujt të jenë dëshmitarë të një nënçmimi kaq të dukshëm ndaj emrit Prishtinë, ngjyrave bardhë e kaltër, e fanellës me emblemën legjendare”, shkruan në postimin e tifo-grupit “Plisat”.
Edhe
Të shtunën përballja prishtinase, të dielën derbi i Superligës
“Frustrimi i tifozëve asnjëherë s’ka të bëjë me largimin nga synimet për titull, sepse dëshmi për këtë kemi periudhën 2013 – 2021, ku pa asnjë titull të fituar nuk lamë vend pa shkelur në Kosovë vetëm të jemi pranë saj. Por neglizhimi i menaxhimit të klubit, mosangazhimi total i lojtarëve në fushë është pika jonë e dobët, ajo që nuk mund ta falim”.
Në fund të postimit njoftohet se “janë marrë të gjitha fanellat e klubit nga zhveshtoret”.
Edhe nga Prishtina kanë konfirmuar se tifozët kanë marrë fanellat e lojtarëve.
Kjo ndodhë rrallë në sportin kosovar.
“Plisat” ishin në stadiumin në Podujevë, por përkrahja e tyre nuk kreu shumë punë – Prishtina bëri edhe një hap të gabuar.
Edhe
Prishtina në procedurë disiplinore për veprimin e tifozëve
Aktualisht Prishtina mban vendin e gjashtë me 24 pikë. Gjasat për titull tashmë janë minimale.