Trajneri i Milanit, Stefano Pioli shpreson ta shohë Zlatan Ibrahimoviqin të kthehet në fushë para përfundimit të këtij sezoni dhe pranon se nuk është i sigurt nëse sulmuesi do të mbetet pjesë e ekipit edhe pas këtij sezoni. Pioli ka thënë se Ibrahimoviqi ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij, raporton “Gazzetta dello Sport”.
Sulmuesi 40-vjeçar këtë edicion ka pasur telashe me lëndimet, sidomos këtë vit ku mungoi në pesë ndeshje. Ai është duke u rikuperuar nga lëndimi i gjurit dhe pritet të kthehet në fushë në fund të këtij muaji.
“Ne shpresojmë që Ibra të kthehet dhe të jetë gati për pjesën e fundit të sezonit. Ai po përballet me një lëndim të gjurit, të cilin shpresoj ta tejkalojë”, ka thënë Pioli. “Sa i përket të ardhmes së tij, gjërat nuk kanë ndryshuar. Ende asgjë nuk ka vendosur”.
Në 23 paraqitje për Milanin në të gjitha garat, Ibra ka shënuar tetë gola dhe ka bërë dy asistime.