Mesfushori Kalvin Phillips ka vendosur të mbetet te Leeds Unitedi edhe pas këtij sezoni, përkundër ofertave joshëse që ka marrë nga Manchester Unitedi dhe Liverpooli. Phillips së shpejti do të firmosë kontratë të re me Leedsin, e cila do ta mbajë në ekip deri në vitin 2026.
“Daily Mirror” ka bërë të ditur se negociatat mes palëve po shkojnë shumë mirë dhe marrëveshja pritet të arrihet gjatë muajit të ardhshëm.
26-vjeçari është ndër mesfushorët defensiv më të vlerësuar në Angli, por i ka munguar Leedsit në 15-të ndeshjet e fundit kampionale për shkak të lëndimit.
Deri më tani, Phillips ka 15 ndeshje të zhvilluara, ku ka shënuar një gol dhe ka bërë një asistim. Kontrata e tij aktuale me ekipin anglez i skadon në vitin 2024.