Pesë ndeshje të xhiros së 18-të në Premier League janë shtyrë shkaku i shqetësimeve që koronavirusi u ka sjellë skuadrave.
Manchester United – Brighton, Southampton – Brentford, Watford – Crystal Palace, West Ham – Norwich dhe Everton – Leicester City janë duelet që nuk do të zhvillohen në fundjavë.
Megjithatë, shikuesit do të kenë mundësinë t’i shohin skuadrat e tjera, e vëmendja do të jetë te ato të kreut të tabelës.
Lideri dhe kampioni në fuqi, Manchester City, të dielën në orën 15:00 do të luajë në udhëtim te Newcastle United.
Newcastle sivjet është në pozitë të vështirë dhe zë vendin e parafundit në tabelë.
City është në formë të shkëlqyer në elitën e futbollit anglez. Fitorja 7:0 në xhiron e kaluar kundër Leedsit të mërkurën, ishte e 10-ta rresht.
“Qytetarët” e drejtuar nga Pep Guardiola kanë pranuar vetëm nëntë gola sivjet, derisa kanë shënuar 40 gjithsej. E kanë sulmin e dytë më të mirë në ligë, pas Liverpoolit.
City me fitore të mundshme do t’i bënte 34 fitore në Premier League në një vit kalendarik. Do të ishte rekord i ri në ligë.
Në 25 ndeshjet e fundit kanë realizuar të paktën një gol në Premier League kundër Newcastlet.
Tottenham – Liverpool do të luhet të dielën dhe do ta mbyll xhiron e 18-të. Vlerësohet si ndeshja më e fortë e fundjavës.
Liverpooli është i dyti në tabelë me vetëm një pak se lideri City.
“Të kuqtë” e Jurgen Kloppit i kanë fituar tri ndeshjet e fundit në ligë si mysafir i Tottenhamit.
Herën e fundit që është mposhtur nga kjo skuadër që luante si vendëse ishte tetori i vitit 2017. Ai duel në “Wembley Stadium” përfundoi 4:1.
Roberto Firmino i ka shënuar pesë gola në gjashtë paraqitjet e fundit në ligë kundër Spursit që tani drejtohet nga Antonio Conte.
Chelsea i vendit të tretë luan të dielën po ashtu në udhëtim te Wolverhamptoni në orën 15:00.
Edhe skuadra tjetër e madhe angleze, Arsenal, në vikend do të luajë në udhëtim. I shkon Leeds Unitedit të shtunën në orën 18:30.