Brazili, Argjentina, Ekuadori dhe Uruguai kanë siguruar tashmë katër vendet direkte të Amerikës së Jugut që dërgojnë në Kampionatin Botëror “Katari 2022” që mbahet në fund të këtij viti. Mirëpo, ka edhe një vend për të cilin do të luftohet në xhiron e fundit të kualifikimeve të Amerikës së Jugut, që zhvillohet të mërkurën.
Çmimi më i madh është pozita që dërgon në plejofin ndërkontinental kundër ekipit të vendit të pestë nga Azia, me Perunë (21 pikë), Kolumbinë (20) dhe Kilin (19) që ndjekin vendin e pestë në Amerikën e Jugut.
Ajo ndeshje e plejofit që do të luhet në muajin qershor, ka të ngjarë të jetë kundër Australisë, Emirateve të Bashkuara Arabe ose Irakut. Peruja mund të sigurojë vendin e pestë me një fitore në shtëpi kundër Paraguait. Kolumbia duhet ta mposhtë Venezuelën dhe të shpresojë që Peruja të mos fitojë.
Kilit do t'i duhet ta mundë Uruguain në Santiago dhe të mbështetet në rezultatet e tjera që do të shkojnë në favor të tij. Lideri Brazili po synon një shenjë historike në Bolivi në të njëjtën ditë. Skuadra e trajnerit Tite mund të arrijë në kuotën e 45 pikëve me një fitore në La Paz, numër që do të thyente rekordin e Argjentinës prej 43 pikëve që e pati arritur në kualifikimet për Kupën e Botës 2002.
Sulmuesit e Brazilit, Neymar dhe Vinicius Junior, janë të pezulluar për këtë ndeshje. Ndërkohë, Ekuadori i vendit të tretë pret Argjentinën e vendit të dytë. FIFA dëshiron që Brazili dhe Argjentina ta luajnë deri në qershor përballjen e tyre të 6 shtatorit, e cila u ndërpre në minutat e para për shkak të protokolleve COVID-19. Peruja është favorit i qartë për vendin e pestë të lakmuar edhe nga Kolumbia e Kili. Ekipi i përzgjedhësit Ricardo Gareca tregoi shumë karakter në humbjen 1:0 nga Uruguai javën e kaluar.
“Ne prisnim të kualifikoheshim direkt në Kupën e Botës, por tani këtë duhet ta bëjmë nëpërmjet plejofit. Në fakt, unë besoj se ne mund t’i përfundojmë kualifikimet tona në vendin e pestë dhe pastaj të sigurojmë Botërorin përmes plejofit. Na pret edhe ndeshja e fundit që është vendimtare, për të cilën u kam thënë lojtarëve që patjetër duhet ta fitojmë”, është shprehur Gareca.
Peruanëve do t'u mungojë sulmuesi Andra Carrillo për shkak të lëndimit të gjurit, dhe do të zëvendësohet nga Edison Floresi ndaj Paraguait. Ndërsa, Garecas për këtë duel pritet t’i kthehet mbrojtësi Jhilmar Lora.
Paraguai i vendit të tetë nuk do ta ketë sulmuesin Robert Morales, i cili lëndoi gjurin në fitoren 3:1 të ekipit kundër Ekuadorit. Nëse Peruja dështon ta mposhtë Paraguain në shtëpi, vendi i pestë do të jetë më shumë në duart e kolumbianëve, pasi përballen me Venezuelën që është e fundit në tabelë dhe nuk ka asnjë synim. Kolumbia shënoi golat e saj të parë pas pothuajse 700 minutave në kualifikime, me fitoren 3:0 kundër Bolivisë.
Luis Diaz, i cili ka shënuar një nga golat, pritet të jetë lideri i Kolumbisë në ndeshjen finale. Anësori veteran, Juan Cuadrado, është suspenduar nga ndeshja në Puerto Ordaz. Trajneri i Kolumbisë, Reinaldo Rueda, po konsideron si zëvendësues njërin mes Mateus Uribe, Wilmar Barrios dhe Jefferson Lerma.
“Ne duhet të fokusohemi në duelin që e kemi, të bllokojmë veten nga rezultatet e tjera”, tha Rueda. “Ne si staf stërvitor nuk duhet të shqetësohemi për informimin e tyre. Nuk është mirë. Lojtarët duhet të jenë të fokusuar dhe ta fitojnë këtë duel”.