Erdhi përmes një konference për shtyp dhe u largua përmes një konference tjetër për shtyp. Periudhës së Bernard Challandesit si përzgjedhës i Kosovës i erdhi fundi më 13 tetor. Ai e udhëhoqi Përfaqësuesen që nga 2 marsi i vitit 2018. Rritja e Përfaqësueses gjatë kësaj periudhe ishte evidente. Natyrisht roli i tij ishte i madh. Madje Challandes ishte trajneri që na bëri të gjithëve të ëndërrojmë diçka të madhe – kualifikimin në Evropian. Por kur erdhi koha për të siguruar kualifikimin gjendja ishte larg prej ideales. Disa lojtarë të rëndësishëm nuk mundën të vinin dhe ndeshja gjysmëfinale e plejofit me Maqedoninë e Veriut u humb.
Më pas rënia e Përfaqësueses ishte graduale. “Kupa u mbush” me humbjen 2:1 nga Gjeorgjia në Prishtinë, më 12 tetor. Të nesërmen FFK-ja e zvicerani Challandes ndanë rrugët.
Do të mbahen mend me paraqitjet e tij energjike e plot momente gazmore në konferenca për shtyp. Ai rrahu tavolinën me dorë që në konferencën e parë. Dhe deri në të fundit nuk ka ndalur veprimet e veçanta. Veterani zviceran do të kujtohet edhe për rritjen që kishte Përfaqësuesja në kohën e tij.