Pasi ia ktheu lavdinë skuadrës së Penzës duke e udhëhequr drejt dy titujve të kampionit të Kosovës në basketboll, Valbona Bytyqi në prag të fillimit të edicionit 2022/23 ka marrë vendim të tërhiqet nga loja aktive.
“Pensionimin” zyrtar nga basketbolli, Bytyqi do ta bëjë të dielën në mbrëmje. Ajo do t’i thotë lamtumirë lojës aktive në palestrën “Karagaçi”, para fillimit të ndeshjes finale të Superkupës së Kosovës. Largimin pra do ta bëjë në arenën ku e ka kaluar një pjesë të mirë të jetës.
Të enjten për KOHËN, Bytyqi tha se nuk do ta ketë lehtë të përshëndetet, por do të mundohet t’i mbajë emocionet. Ajo thotë se po largohet me kokën lart dhe si lojtarja më e suksesshme kosovare.
“E dija që një ditë do të më duhet t’i jap fund karrierës aktive dhe kjo ditë erdhi. Asnjë sportiste nuk mund t’i ikë përshëndetjes me lojën aktive. Sigurisht se do të kem emocione, por do të mundohem të përmbahem. Kam pasur një karrierë të jashtëzakonshme me të cilin mburrem”, ka thënë Bytyqi. “Besoj se do të jem shembull për shumë gjenerata të vajzave”.
Karriera e Bytyqit është e gjatë dhe e suksesshme. Për 17 vjet karrierë, ku luajti kryesisht për Penzën dhe një periudhë te Bashkimi, Bytyqi ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm. Janë mbi 20 trofe të Bytyqit që gjatë karrierës e pati një shkëputje shkurtër. Ajo pauzoi një vit për shkak të lindjes së vajzës, për t’u kthyer në vitin 2019 dhe për ta udhëhequr Penzën drejt suksesit.
Si kapitene dhe lidere e vërtetë, Bytyqi ishte më e merituara që Penza u shpall kampione e Kosovës në dy edicionet e fundit, ndërsa fitoi edhe Superkupën e Kosovës dhe Superkupën e Ligës Unike.
Edhe pse kishte angazhime si nënë, 34-vjeçarja nuk ka munguar asnjëherë te Penza. Madje shpesh në bankën e rezervisteve ishte edhe vajza e saj, katërvjeçarja Inara, që e ka përcjellë në çdo hap.
“Për 17 vjet karrierë kam fituar mbi 20 trofe dhe nuk ka qenë aspak e lehtë për ta mbajtur nivelin. Në fakt kam sakrifikuar shumë dhe nuk jam dorëzuar për asnjë moment. E për këtë ndihem më së shumti krenare”, u shpreh Bytyqi. “Ajo që më bën të ndihem mirë është edhe fakti se po shkëputem nga loja e basketbollit si e vetmja nënë, pas luftës. Edhe pas lindjes së vajzës vazhdove ta jem aktive deri më tani”.
Bytyqi ndihet krenare edhe për një fakt tjetër. Gjatë karrierës së gjatë, basketbollistja pejane asnjëherë nuk është ndëshkuar me gabim teknik. Insiston se kjo është një e arritur tjetër e madhe në karrierë.
“Dua të veçoj se gjatë tërë karrierës sime kam treguar kulturë të lartë në lojën e basketbollit. Kurrë nuk jam ndëshkuar me gabim teknik”, shtoi Bytyqi.
Valbona nuk do të largohet tërësisht nga basketbolli. Tani ajo do të fokusohet në punën si trajnere e gjeneratave të reja. Dhe shpreson që në një të ardhme të afërt ta nxjerrë një tjetër “Valbonë” që do të shquhet me paraqitje në basketbollin kosovar.