Sport

Pasi udhëhoqi Penzën drejt titullit, Valbona Bytyqi motivohet për të vazhduar tutje

penza, bytyqi, sport, basket

Një tjetër edicion i mbyllur me shumë sukses për klubin e basketbollit Penza.

Klubi i basketbollisteve nga Peja fitoi për herë të dytë rresht titullin e kampionit të Kosovës. Të premten në palestrën “Karagaçi”, Penza e mposhti Prishtinën në ndeshjen e katërt të serisë finale, me shifrat 79:62. Penza e përfundoi finalen me rezultatin 3:1.

Më e dalluara në triumfin e Penzës ishte kapitenia Valbona Bytyqi. Ajo ndeshjen përmbyllëse e kompletoi me 20 pikë e plot 13 kërcime. Bytyqi ka qenë ndër më të mirat edhe në ndeshjet e tjera të këtij edicioni, duke përfshirë ato finale.

Bytyqi motivin për të arritur suksese e ka edhe për të ardhmen. Ajo synon trofe të radhës me klubin e qytetit të lindjes.

“Çdo trofe e ka peshën e vet, mundin dhe sakrificën. Për mua këta tre vjet kanë qenë më të suksesshmit që mbaj mend në karrierën time, ku brenda tre vjetësh kemi fituar katër trofe. Ka qenë shumë emocion i veçantë mbrojta e titullit për arsye se kemi luajtur në vendin tonë dhe kishim një përkrahje të madhe të shikuesve. I falënderoj për ndihmën, ku në fund i shpërblyem me titull të kampionit me plot meritë”, ka thënë Bytyqi të dielën për KOHËN.

Për Penzën është trofeu i tretë këtë edicion, pas Superkupës së Kosovës dhe Superkupës Mbarëkombëtare. Kontributi i Bytyqit ka qenë i madh.

“Unë menjëherë pas lindjes së vajzës, saktësisht pas 6 muajve, në shtator të vitit 2018 jam kthyer t’i ndihmoj ekipit. E kam pasur pak vështirë derisa e kam marrë veten, por nga ajo kohë e deri më tani unë kam dëshmuar se çdo çmim individual apo trofetë e fituar me ekip i kam arritur me meritë dhe nuk jam ndalur asnjëherë. Po ashtu, në edicionin 2019/2020 jam zgjedhur MVP apo lojtarja më e mirë në Kosovë, e votuar nga paraqitjet që kam pasur. Jam shumë e lumtur që edhe tash në edicionin 2021/2022 jam e nominuar nga FBK-ja që të votojnë tifozët. Unë e dëshmova se vlerësohem shumë, ku mora mbi 800 vota, sa krejt pjesa tjetër e lojtareve të bëhen bashkë”, ka thënë Bytyqi.

31-vjeçarja ka të fituar një titull edhe me klubin e Bashkimit. Është edhe titulli i parë i fituar në karrierë, por pjesën tjetër ia ka kushtuar Penzës.

“Kam arritur shumë dhe kam marrë të gjitha që mund të fitohen në basketbollin e Kosovës. Shpresoj të jem shembull për gjeneratat e reja që nga sporti të mos largohen asnjëherë pavarësisht profesioneve të jetës. Kam luajtur edhe për Bashkimin një vit dhe ka qenë titulli i parë në karrierën tim. Asnjëherë nuk jam ndëshkuar me gabim teknik. Kjo dëshmon karakterin tim. Gjithmonë kam energji dhe motiv”, ka thënë Bytyqi.

Ajo është e angazhuar edhe si trajnere e Shkollës së Basketbollit Penza. Me të rejat punon qe shtatë vjet së bashku me Drilon Bytyqin. Në muajin maj i bashkohet edhe Përfaqësueses U14 të Kosovës. Te kjo gjeneratë është ndihmëstrajnere. Bytyqi thotë se edhe punën e trajneres e kryen me shumë pasion. Krenohet që jep kontributin për të nxjerrë basketbolliste të reja.

“Kam pasur motiv tepër të madh të luaj në këto ndeshjet finale, sepse kam parë shumë vajza të reja nga i gjithë vendi dhe më kanë thënë fjalë të mëdha. Më kanë thënë se kemi ardhur për ty dhe ti fito për ne. Është diçka që nuk përshkruhet me fjalë. Motivin për të vazhduar fuqishëm dhe për të fituar trofe tjerë e kam. Kemi pushim dhe këtë periudhë do ta kaloj me bashkëshortin dhe vajzën time që më kanë parë më shumë në TV se fizikisht. Unë jam e gatshme ta jap kontributin tim për klubin dhe basketbollin në përgjithësi”, ka thënë Bytyqi.

Penza në fakt kishte edhe tri lojtare cilësore të huaja, ndërsa kontribut dhanë edhe lojtaret e reja vendore si Diedona Halitaj, Jeta Zeka, Vanesa Bojku, Ajshe Shala, Ermelinda Gjukaj e disa të tjera.