Sport

Valbona Bytyqi, e pandalshmja e Penzës

Inara, trevjeçare, po qëndronte pranë nënës së saj, Valbona Bytyqi, dhe po e vështronte gjithë atmosferën e krijuar të enjten mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. E ëma, Valbona, ishte e emocionuar derisa priste t’i dorëzohej trofeu. Ajo mbante të bijën afër vetes.

Si nëna, ashtu edhe Inara, e kishin veshur uniformën e skuadrës së Penzës, kurse prapa e kishin numrin nëntë, që e mban edhe Valbona, kapitenia që ngriti trofeun për ta konfirmuar ekipin nga Peja kampion për edicionin 2020/21 në Superligën e Kosovës në basketboll.

Inara ka qëndruar në bankën e Penzës gjatë tërë ndeshjes dhe kishte momente kur nëna i qëndronte pranë kur zëvendësohej për të pushuar.

Penza të enjten mbrëma triumfoi ndaj Bashkimit (77:63) në ndeshjen e pestë të serisë finale të plejofit dhe u shpall kampione me rezultatin e përgjithshëm 3:2. Për Penzën, ky ishte titulli i parë pas sezonit 2016/17 dhe i katërti pasluftës. Po aq tituj i ka edhe Valbona Bytyqi me fanellën e Penzës. Por, trofeu i fituar të enjten mbrëma në Prizren mbetet më i veçanti dhe më i vështiri për të. Para Bashkimit, Penza e ka eliminuar Prishtinën në gjysmëfinale.

“Mund të them se për mua ky titull ka qenë dhjetë herë më i vështirë se për të gjitha lojtaret e tjera”, ka pranuar Bytyqi të premten për KOHËN.

Në fakt, basketbollistja 33-vjeçare ka plotësisht të drejtë kur thotë se ky sukses për të ka qenë dukshëm më i vështirë sesa për lojtaret e tjera. Krahas stërvitjeve me ekipin e parë për çdo ditë, Bytyqi është dashur që gjatë ditës të gjejë kohë edhe për t’u kujdesur për vajzën e saj, të punojë si edukatore në kopsht si dhe t’i stërvitë basketbollistet e reja te shkolla e basketbollit Penza. Pra, në të njëjtën kohë, Bytyqi ka kryer katër role: nënë, edukatore, lojtare dhe trajnere.

“Për mua, ky është titulli më i vlefshëm në karrierën time, sepse përkundër angazhimeve të mëdha kam gjetur kohë për gjithçka”, thotë Bytyqi, e cila pranon se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme t’i përkushtohej vajzës së saj. “Inara, vajza ime, më shumë më ka parë në televizor ndoshta sesa në shtëpi. E kam lënë në gjumë dhe e kam gjetur në gjumë për shkak se është dashur të shkoja në stërvitje, punë dhe pastaj në shkollën e basketbollit. Për kujdesin ndaj vajzës më duhet të falënderoj bashkëshortin Xhelalin dhe nënën time, sepse ata më shumë janë marrë me të sesa unë”.

Përkundër angazhimeve, Bytyqi nuk ka munguar në asnjë stërvitje të Penzës e as në ndeshje këtë sezon. Në fakt, ajo ishte ndër më të merituarat dhe më të dalluarat te skuadra e Penzës këtë sezon. Bytyqi ka pasur një mesatare prej 18 pikësh, tetë kërcimesh dhe tri asistimesh për ndeshje dhe ndihet krenare që ka ndihmuar Penzën ta kthejë titullin në Pejë. Bytyqi dëshiron të jetë shembull edhe për sportistet e tjera nëna, që të mos e ndërpresin karrierën, por të vazhdojnë të luajnë.

“Jam e vetmja nënë pas luftës që po vazhdoj të luaj dhe shpresoj të jem motiv dhe shembull edhe për të tjerat, që të mos e ndërpresin karrierën, por të vazhdojnë sepse çdo gjë mund të arrihet me punë, vullnet dhe angazhim”, tha Bytyqi. “Në ndeshjet vendimtare, vajzën gjithmonë e kam marrë me vete, kurse në finalen e pestë ishte në bankë. Mund të them se për mua është një emocion i veçantë dhe i papërshkrueshëm që trofeun e ngrita me vajzën time”.

Bytyqi ka pranuar se Penza, kur e nisi këtë edicion, nuk kishte ndonjë synim. Madje, synimi i ekipit ishte që ta sigurojë mbijetesën dhe Bytyqi thotë se rrugëtimi deri te titulli i kampionit nuk ka qenë aspak i lehtë. Mirëpo, Bytyqi thotë se e gjithë sakrifica e saj u shpërblye të enjten kur iu dorëzua trofeu si kapitene e Penzës.

“Fillimi nuk ishte aspak i lehtë, pasi e nisëm me vajza të reja dhe pothuajse isha e vetme. Synimi ishte që ta sigurojmë mbetjen në Superligë, por në fillim të këtij viti erdhën edhe përforcimet dhe ia dolëm ta shpallemi kampione”, tha Bytyqi. “Asnjë stërvitje, asnjë ndeshje nuk kam munguar. Edhe vajzën ka pasur rast kur e kam lënë në spital, sepse ka pasur një operim të vogël, kurse unë kam shkuar në stërvitje. E gjithë kjo sakrificë e imja në fund është shpërblyer me trofe”.

Bytyqi ka pauzuar vetëm një vit nga basketbolli për shkak të lindjes së vajzës së saj. Mirëpo, edhe kur nuk ka mundur të luajë, ajo ka dhënë kontributin e saj te Penza.

“Në periudhën që s’kam mundur të luaj kam qenë trajnere. Në të gjitha mënyrat kam kontribuar për klubin dhe jam munduar ta përkrah. E dua këtë sport dhe dua t’i shoh vajzat të vazhdojnë të luajnë. Tashmë 15 vjet kam karrierë dhe do të vazhdoj të jem zë i fuqishëm i këtij sporti”, tha Bytyqi, që është kthyer si lojtare para dy vjetësh. “Para tre vjetësh isha trajnerë, kurse u ktheva pas një viti pauzë shkaku i lindjes. Pra, rrugëtimi im i jashtëzakonshëm në basketboll do të vazhdojë në një mënyrë apo tjetrën”.

Bytyqi thotë se festa po vazhdon te Penza dhe dëshiron ta shijojë pas një lodhjeje të madhe nga ndeshjet e forta dhe të shpeshta. Insiston se Penza me këtë triumf ka paralajmëruar se nuk do të ndalet.

“Tash besoj se do të marrim pjesë edhe në Ligën Unike dhe Penza mund të them se do ta ketë fjalën kryesore sërish në basketbollin e femrave”, tha Bytyqi, që është edhe ndihmëstrajnere te Përfaqësuesja U14 e Kosovës (femrat). “Ka pasur ndeshje të forta në përgjithësi këtë sezon dhe mendoj se cilësia te femrat po rritet, gjë që është shumë mirë”.

Bytyqi shpreson që edhe sezonin tjetër të gjitha klubet të jenë të përforcuara me lojtare të huaja.

“Hera e parë në histori është që të gjitha ekipet kanë pasur lojtare të huaja, por gjithashtu kishte edhe trajnerë. Cilësia ishte shumë e fortë dhe shpresoj që të vazhdohet kështu edhe sezonin tjetër. I kemi dhënë hijeshi basketbollit të Kosovës edhe ne ekipet e femrave këtë sezon”, përfundoi Bytyqi.