Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Përkrahësit e Gjokoviqit protestojnë para hotelit në Melbourne

Përkrahësit e tenistit serb Novak Gjokoviq kanë protestuar të dielën jashtë hotelit Park në Melbourne, ndërsa tenisti numër një në botë është duke e kaluar ditën e katërt në këtë hotel, pasi atij i është anuluar viza për në Australi.

Disa përkrahës kanë mbajtur flamuj të Serbisë dhe kanë vallëzuar me muzikë jashtë hotelit.

Gjokoviq është në pritje të vendimit të gjykatës australiane të hënën. Aty pritet të vendoset nëse ai do të lejohet të mbrojë titullin e fituar në turneun Grand Slam “Australian Open” apo do të dëbohet nga Australia.

Hoteli shërben si qendër paraburgimi për refugjatët dhe azilkërkuesit. Rastet e këtyre të fundit janë duke zgjatur shumë më tepër kohë sesa rasti i Gjokoviqit, të cilit iu anulua viza të mërkurën, për shkak se nuk është aplikuar në mënyrë të duhur për të qenë i kursyer nga rregulli i vaksinimit kundër COVID.

Gjokoviq është një kundërshtar i vaksinimit, ndërsa ai në arsyetimin e tij kishte thënë se ka rezultuar pozitiv me COVID më 16 dhjetor, ndonëse në foto e videot që kanë qarkulluar është parë që ai me 17 dhjetor ka qenë në aktivitete të ndryshme pa maskë.