Në fund të këtij edicioni, kur Liverpooli synon të bëjë përforcime të rëndësishme për të luftuar për titullin e kampionit të Anglisë sërish, transferimi më i madh i klubit mund të jetë jashtë fushës. Klubi i madh anglez është në kërkim të një drejtori të ri sportiv që do të jetë i treti brenda tre vjetësh. Julian Ward do të largohet në fund të këtij kampionati, vetëm 12 muaj pasi zëvendësoi Michael Edwardsin.
Roli i drejtorit sportiv është bërë tejet i rëndësishëm në futbollin anglez viteve të fundit, duke u shndërruar në figurën kryesore sa i përket strategjisë së transferimeve. Deri vonë kjo ka qenë detyra kryesore e trajnerit në Premier League.
Pak skuadra janë mbështetur në këtë pozitë me aq sukses sa Liverpooli gjatë një periudhe në të cilën trajneri Juergen Klopp ka fituar çdo trofe të madh dhe ka arritur në tri finale të Ligës së Kampionëve. Ekspertiza e Edwardsit në treg u pa si thelbësore për këto arritje, me transferimet e lojtarëve si Mohamed Salah, Virgil van Dijk dhe Alisson, që ndryshuan fatin e ekipit. Ward ka qenë zëvendësi i tij përpara se ta merrte detyrën kryesore vitin e kaluar. Por në nëntor ai mori vendimin e papritur për t'u larguar në fund të edicionit. Kjo ka bërë që Liverpooli të ketë nevojë të plotësojë një pozicion jetik në të njëjtën kohë kur Klopp shpreson të adresojë fushat problematike të skuadrës së tij që kanë kontribuuar në rënien dramatike të ekipit këtë edicion.
“Sigurisht që me ardhjen e drejtorit të ri do të kompletohemi në çdo aspekt. Ai do të jetë më së i nevojshëm për mua”, ka pranuar Klopp.
Liverpooli këtë verë duhet t’i bëjë lëvizjet e duhura në tregun e futbollit, pasi tashmë është tejkaluar nga Arsenali, Newcastle dhe Manchester Unitedi. Për dallim prej edicionit të shkuar kur deri në fund luftoi për katër trofe, Liverpooli këtë edicion pritet ta humbë edhe kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Detyra e drejtorit të ri do të jetë angazhimi i një mesfushori dhe emri më i lakuar është ai i Jude Bellinghamit të Borussia Dortmundit. Liverpooli përgjatë këtyre pesë vjetëve ka bërë shumë pak gabime në transferime dhe për këtë arsye ka qenë në gjendje të matet me Manchester Cityn, që ka fuqi të madhe financiare. Për dallim prej Liverpoolit, Manchester Unitedi ka bërë dukshëm shpenzime të mëdha për ta sfiduar Cityn, por ka dështuar me transferimin e Romelu Lukakut, Paul Pogbas e Alexis Sanchezit.
Standardet që drejtori i ardhshëm sportiv i Liverpoolit duhet të përmbushë janë të larta pasi klubi synon të sigurojë që rënia e këtij edicioni të mos zgjasë më shumë se një vit. Edhe trajneri Klopp ka pranuar se ky edicion duhet të harrohet sa më shpejt dhe pret që ekipi të reflektojë me ndryshimet që do t’i bëjë gjatë afatit kalimtar të verës.