Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Përfaqësuesja kompleton përgatitjet në Prishtinë, të hënën udhëton për në Zvicër

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka zhvilluar të dielën paradite stërvitjen e fundit në Prishtinë, para ndeshjes miqësore me Zvicrën në Zuerich.

Të hënën në mëngjes përfaqësuesja udhëton për në Zvicër, ku të martën prej orës 18:00 luan miqësoren me “helvetikët”. Është kjo miqësorja e parë mes dy përfaqësueseve dhe për shumë lojtarë vlerësohet e veçantë. Kosova pritet të ketë përkrahje të madhe në Zuerich, ku jetojnë shumë shqiptarë. Te përfaqësuesja e Kosovës ka lojtarë që kanë bërë dhe bëjnë karrierë në Zvicër. Ka edhe lojtarë me të kaluar në ekipet e grupmoshave të Zvicrës.

Ndërkohë te Zvicra dy lojtarët kryesorë janë Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka. Zvicra të shtunën mbrëma luajti miqësore me Anglinë, ndërsa u mposht 2:1 në “Wembley”. Ndërkohë, Kosova të enjten fitoi 5:0 ndaj Burkina Fasos në Prishtinë.

Pas miqësores me përfaqësuesen afrikane, Kosova u është kthyer stërvitjeve në fushën e blertë të shtunën. Dhe stërvitje tjetër kishte të dielën paradite.

Sipas njoftimit të FFK-së, në stërvitjen e së dielës përzgjedhësi Alain Giresse ka punuar në aspekte tekniko-taktike, duke përfshirë edhe skema të ndryshme nga ndërprerjet. Federata ka njoftuar se forma e lojtarëve është e mirë dhe të gjithë mezi e presin ndeshjen me Zvicrën.

“Paraqitja kundër Burkina Fasos ka qenë shumë e mirë. Futbollistët janë në formë dhe secili prej nesh ka dëshirë e përkushtim për t’i treguar vlerat para trajnerit të ri. Tash kundër Zvicrës na pret një ndeshje shumë e fortë, ku do të ketë shumë shqiptarë në stadium dhe pa dyshim do të jetë një ndeshje shumë e veçantë. Kjo ndeshje do të jetë një festë futbolli. Ne do të japim maksimumin dhe udhëtojmë për ta fituar ndeshjen”, ka thënë Betim Fazliji, që është i rritur në Zvicër. 22-vjeçari është pjesë e St. Gallenit në elitën zvicerane dhe shumë herë ka luajtur në stadiumin “Letzigrund” në Zuerich.

“Jemi disa lojtarë që jemi rritur në Zvicër dhe për mua është një ndeshje speciale. Dua të fitojmë për t’i treguar çfarë potenciali ka Kosova dhe çfarë ekipi jemi. Për ‘Dardanët’ presim të na mbështesin edhe kundër Zvicrës, ashtu sikurse ndaj Burkina Fasos dhe t’i gëzojmë me lojë të mirë“, ka shtuar Fazliji, që kryesisht luan në qendër të mbrojtjes.

Edhe Kosova zhvillon stërvitjen, e gatshme për ndeshjen ndaj Zvicrs Futboll Kosova zhvillon stërvitjen, e gatshme për ndeshjen ndaj Zvicrs

Zvicra është përfaqësuese e nivelit të lartë evropian dhe ndeshja ndaj saj pritet të jetë sfidë e vërtetë për të përzgjedhurit e Giresset. Fitorja me Burkina Fason ka ndikuar që atmosfera në përfaqësuese të jetë pozitive.

Giresse ndaj Burkina Fasos ua ka dhënë rastin shumë lojtarëve, që në të kaluarën nuk ishin shumë të angazhuar. Ka pushuar lojtarët kryesorë, si Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Valon Berisha e Aro Muriq. Të gjithë këta pritet të startojnë ndaj Zvicrës.

Këto dy ndeshje të marsit vlerësohen me shumë rëndësi për përfaqësuesen. Menjëherë më 2 qershor, Kosova e luan ndeshjen e parë në kuadër të edicionit 2022/2023 të Ligës së Kombeve. Madje, në qershor përfaqësuesja i ka plot katër ndeshje në kuadër të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Prandaj rritja e bazës së përfaqësueses vlerësohet me shumë peshë. Ndeshja ndaj Zvicrës do të japë sinjale të tjera për rrugën në të cilën aktualisht është përfaqësuesja pas ndryshimeve të bëra në shtabin teknik.