Menaxheri i mesfushorit ofanziv, Lewis Ferguson, që luan me Bolognan në elitën e futbollit italian, ka treguar se Juventusi, Interi dhe Milani kanë shprehur interesim për t’i siguruar shërbimet e tij.
24-vjeçari Ferguson ka pasur paraqitje mbresëlënëse me Bolognan në Serie A në 18 muajt e fundit nën drejtimin e trajnerit Thiago Motta.
Paraqitjet e tij të mira kanë bërë që Bologna të ngjitet në vendin e katërt në tabelë, kur kanë mbetur edhe dhjetë xhiro deri në fund të kampionatit.
Ferguson ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhuruar pesë asistime në 29 paraqitje në të gjitha garat.
“Ka lajme se Lewisi po pëlqehet nga Napoli, Interi, Milani dhe Juventusi, por ai gjithmonë ka qenë i qartë me Bolognan. Nëse ndonjëra nga këto skuadra e kontakton, zyrtarët e Bolognas duhet ta shqyrtojnë ofertën”, ka thënë menaxheri Bill McMurdo.
Skocezi Ferguson ka kontratë me Bolognan deri në qershor të vitit 2027.