Sport

Peja nis rrugëtimin në BIBL ndaj ekipit të madh ukrainas

BC Budivelnyk, ekipi më i suksesshëm i Ukrainës në basketboll, do ta vizitojë Kosovën në fillim të muajit të ardhshëm. Më datën 4 nëntor, Budivelnyk do të përballet me skuadrën e Pejës në kuadër të xhiros së dytë të Ligës Ballkanike (BIBL).

Kjo ndeshje do të zhvillohet në palestrën “Karagaçi”, ka njoftuar faqja zyrtare e kësaj lige. Rrugëtimi i Pejës për sezonin 2022/23 do të nisë prej xhiros së dytë, në kuadër të së cilës do të zhvillohen tri ndeshje mes datave 3-6 nëntor. Ndërsa, ndeshja që do ta hapë sezonin e BIBL-it, do të luhet më 27 tetor ndërmjet Hapoel Beer Sheva të Izraelit dhe Levskit 2014 të Bullgarisë.

BIBL-i ende nuk ka publikuar orarin e plotë të ndeshjeve për këtë edicion, gjë që ka paralajmëruar se do të bëhet së shpejti për shkak se po dakordohet me klubet pjesëmarrëse për terminët e duhur. Prej xhiros së dytë, garat do t’i fillojë edhe ekipi tjetër nga Kosova, Bashkimi i Prizrenit. Edhe Bashkimi ndeshjen e parë e luan në shtëpi. Më 3 nëntor e pret ekipin nga Mali i Zi, Milenijum Kodio. Te Peja tashmë kanë nisur të bëhen gati për vizitën e ekipit të njohur nga Ukraina, Budivelnykut. Krahas BIBL-it, Budivelnyku këtë edicion po paraqitet edhe në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup. Është ekipi më i suksesshëm i Ukrainës, me dhjetë tituj kampioni dhe tri kupa që edhe është rekord i këtij shteti.

Për Budivelnykun, kjo do të jetë hera e parë që do të paraqitet në BIBL, ndërsa ndeshjet si vendas do t’i luajë në Itali. Për shkak të luftës në Ukrainë dhe pushtimit nga Rusia, skuadra është zhvendosur në Itali, ku edhe do të luajë si vendas. Është qyteti Veroli, i cili gjendet 100 kilometra në juglindje të Romës, që i ka bërë konak të përkohshëm Budivelnykut në palestrën “Pala Coccia”. Te Peja, me padurim presin duelin ndaj ekipit nga Ukraina që e vlerësojnë lart dhe si favoritin kryesor për të triumfuar këtë edicion në BIBL. Peja është rikthyer në këtë ligë pas një mungese dyvjeçare, ndërsa ky është edicioni i pestë që paraqitet prejse debutoi në vitin 2013. Trajneri i Pejës, Can Sevim, ka pranuar se pjesëmarrja edhe në BIBL nuk do të jetë aspak e lehtë për ekipin e tij shkaku i ngarkesave që i ka në Superligën e Kosovës. Po ashtu, Peja këtë edicion do të luajë edhe në Ligën Unike.

“Budivelnyku është një ekip me emër nga Ukraina dhe shumë i fortë, pasi në radhët e veta ka lojtarë cilësorë dhe gjithashtu ka përvojë në garat evropiane. Në radhët e veta, kjo skuadër ka edhe shumë reprezentues të Ukrainës dhe përballja me ta do të jetë një sfidë shumë e madhe për ne”, është shprehur Sevim për KOHËN, të mërkurën. “Sigurisht, që edhe ne i kemi synimet tona, jo vetëm ndaj Budivelnykut, por edhe në Ligën Ballkanike. Mund të them se do të jetë një ligë shumë interesante dhe me ndeshje tejet të forta dhe nuk do të jetë aspak lehtë. Do ta kemi orarin e ngarkuar, por besoj se do të jemi të gatshëm për të luftuar deri në fund në të gjitha frontet”.

BIBL-ja ka paralajmëruar se këtë edicion do të paraqiten 12 ekipe, ndërsa në total do të zhvillohen 84 ndeshje. 12 ekipet do të ndahen në dy grupe – A dhe B – me nga gjashtë ekipe, të cilat do t’i zhvillojnë nga dhjetë ndeshje secila na fazën e parë të grupeve. Katër ekipet e para prej secilit grup do të avancojnë në rundin “Top Eight”, ndërsa dy të fundit do të eliminohen. Pas kësaj faze, tetë ekipe do të ndahen në Grupin C dhe D për ta kërkuar “Final-Fourin”.

Dy ekipet e para të këtyre grupeve do të kualifikohen direkt në “Final-Four”, ndërsa skuadrat e dyta dhe të treta do të luajnë në çerekfinale për ta kërkuar kualifikimin në plejof. Ky do të jetë sezoni i 15 i BIBL-it, ligë që për herë të parë ka startuar në edicionin 2008/09. Sigal Prishtina mbetet ekipi më i suksesshëm nga Kosova në këtë ligë, të cilën e ka fituar dy herë rresht – 2014/15 dhe 2015/16.