Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Peja mposhtet bindshëm në Holandë, pas një jave ka ndeshjen vendimtare

Peja është mposhtur bindshëm të mërkurën mbrëma në Holandë nga skuadra Heroes Den Bosch. Den Boschi e fitoi me rezultatin 109:91 ndeshjen që e dominoi thuajse plotësisht. Ndeshja i takoi Grupit H të stinorit të rregullt të FIBA Europe Cup.

Skuadra holandeze e fitoi çerekun e parë me rezultatin 27:21, ndërsa të dytin edhe më bindshëm, 28:15. Kjo bëri që epërsia pas pjesës së parë të ishte e lartë. Çereku i tretë përfundoi 27:24 në të mirë të Pejës, ndërsa i katërti 30:28 për holandezët.

Ekipi pejan ka pasur telashe për ta zhvilluar lojën e tij. Dhe kjo solli humbjen e dytë rresht në FIBA Europe Cup. Peja po përballet edhe me mungesa.

Jay Jay Chandler u dallua te Peja me 31 pikë, katër kërcime e pesë asistime. Justin Edler i kishte 23 pikë, dhjetë kërcime e katër asistime. Ndërsa Jacob Calloway ndeshjen e përfundoi me 17 pikë e 11 kërcime.

Përkundër humbjes, Peja ka mbetur e dyta në grup me shtatë pikë, përkatësisht me bilanc prej dy fitore e tri humbje. Spojnia Stargard e Polonisë është e treta me bilanc të njëjtë. Tutje ka kaluar tashmë NINERS Chemnitz nga Gjermania, që ka fituar pesë ndeshjet e deritashme. Ndërkohë Heroes Den Bosch tashmë është skuadër e eliminuar. E shënoi fitoren e parë.

Edhe Peja humb ndeshjen dramatike, nuk vazhdon tutje në FIBA Europe Cup Sport Peja humb ndeshjen dramatike, nuk vazhdon tutje në FIBA Europe Cup

Po të mërkurën, Chemnitzi fitoi ndaj Stargardit me rezultatin 97:75. Kështu ndeshja vendimtare për vendin e dytë në grup do të zhvillohet të mërkurën e ardhshme, më 22 nëntor, në palestrën “Karagaçi”. Peja takohet me Stargardin polak. Skuadra që shënon fitore siguron vendin e dytë. Por vendi i dytë nuk është garanci për avancimin tutje.

Në fazën tjetër shkojnë fituesit e dhjetë grupeve dhe gjashtë prej dhjetë skuadrave më të mira të renditura në pozitën e dytë nëpër grupe.