Peja ka humbur ndeshjen vendimtare me skuadrën polake, Spojnia Stargard dhe nuk ka avancuar nga faza e parë grupore e FIBA Europe Cup.
Të mërkurën mbrëma në palestrën “Karagaçi”, Peja u mposht me rezultatin 91:87. Peja përfundon në pozitën e tretë në Grupin H me tetë pikë dhe nuk avancon. Skuadra polake është renditur e dyta, ndërsa grupin e ka fituar skuadra gjermane, NINERS Chemnitz. Pas Pejës ka mbetur skuadra nga Holanda, Heroes Den Bosch.
Ndeshja vendimtare për vendin e dytë në grup ishte shumë e fortë dhe dramatike. Skuadrat kanë luftuar nga fillimi e deri në fund, ndërsa sfida është vendosur në aksionet përfundimtare. Më të koncentruar ishin mysafirët që fituan me katër pikë dallim.
Në disfatën e Pejës kanë ndikuar edhe mungesat e shumta. Vetëm gjashtë lojtarë kanë pasur hapësirë të madhe në ndeshje, ndërsa dy të tjerë kishin nga pak minuta.
Justin Edler Davis ishte më i dalluari te Peja. Ai ndeshjen e përfundoi me 17 pikë e plot 16 kërcime. I kishte edhe pesë asistime. Urald King kishte po ashtu shifra të veçanta. Ai realizoi 18 pikë e 18 kërcime. Më efikasi ishte Jay Jay Chandler me 21 pikë. Ai kishte edhe pesë kërcime e katër asistime. Jacob Calloëay e përfundoi ndeshjen me 15 pikë, ndërsa Arian Çallakaj i realizoi 10 pikë e gjashtë asistime.
Trajneri i Pejës, Rami Hadar, është shprehur krenar me paraqitjen e skuadrës së tij përkundër humbjes. “Jam shumë krenar me këtë ndeshje. Kemi shumë lëndime. Kemi luftuar shumë në të gjitha ndeshjet dhe jam i lumtur me paraqitjet. Mendoj se gjuajtjet për tri pikë të kundërshtarit kanë vendosur. Skuadra polake kishte shumë gjuajtje të lehta. Tani i kthehemi ligës vendore dhe shpresojmë të paraqitemi mirë. I presim që të kthehen të gjithë dhe mendoj që kemi skuadër shumë të mirë”, ka thënë Hadar.
Edhe
Pejës i duhet fitorja ndaj skuadrës polake për të shpresuar në kualifikim
Dallimi në fakt është bërë në shënimet për tri pikë. Derisa Peja i kishte vetëm tri shënime për tri pikë, skuadra polake realizoi plot 16 herë për tri pikë.
Peja tani i kthehet garës në Superligë, me synim për ta mbrojtur titullin e kampionit të Kosovës.