Skuadra e Pejës ka shfrytëzuar përparësinë e terrenit vendas në nismë të serisë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Skuadra pejane e ka fituar ndeshjen e parë ndaj kampionit në fuqi, Golden Eagle Yllit.
Të mërkurën mbrëma Peja triumfoi ndaj Yllit në palestrën “Karagaçi” me rezultatin e ngushtë, 85:82. Me këtë fitore Peja avancon 1:0 dhe tani seria do të bartet në Suharekë, ku Ylli të shtunën do të jetë nikoqir në palestrën “13 Qershori”. Në finale kalon skuadra që shënon tri fitore.
Në fakt fituesi nuk u vendos deri në minutat e fundit të ndeshjes, ndonëse Peja vazhdimisht ka qenë në epërsi, ndërsa në momente kishte epërsi edhe mbi dhjetë pikë.
Kampioni në fuqi, Ylli, e ngushtoi rezultatin deri në dy pikë (81:79), me treshen e Malcolm Armsteadit, kur kishin mbetur edhe tre minuta lojë. Por Peja u kundërpërgjigj me seri 4:0 për ta siguruar fitoren me një epërsi prej tri pikëve.
“Nuk kemi pritur aspak ndeshje të lehtë dhe doli të ishte ashtu, sepse përballë kishim kampionin në fuqi. Në përgjithësi jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit, ndonëse kemi mundur të luanim edhe më mirë. Por, në këtë fazë të sezonit e rëndësishme është vetëm fitorja. Jam i kënaqur me rezultatin dhe po shikojmë përpara drejt ndeshjes së dytë që e kemi në udhëtim”, tha trajneri i Pejës, Rami Hadar.
Basketbollistët e Pejës filluan më mirë takimin dhe arritën që çerekun e parë ta mbyllin me shifrat 22:19. Edhe në periudhën e dytë pejanët vazhduan me lojë të mirë për të shkuar në pushim me një avantazh prej shtatë pikëve (48:41).
Çereku i tretë u mbyll baras (23:23) dhe bëri që Ylli në dhjetë minutat e fundit të futet me disavantazh prej shtatë pikëve, të cilin nuk arriti ta shkrinte përkundër lojës së mirë që tregoi.
Qendra Brad Waldow ishte më i merituari te Peja për këtë fitore. Ai ndeshjen e mbylli me “double-double” prej 22 pikëve e 10 kërcimeve. Me lojë të mirë u veçuan edhe dy amerikanët e tjerë, Larry Thomas me 17 pikë e David Joseph me 16 pikë të realizuara.
Te skuadra e Yllit gjashtë basketbollistë e përfunduan ndeshjen me pikë dyshifrore. Më efikasi ishte Bashir Ahmed me 18 pikë, i ndjekur nga Gëzim Morina që pati 16 pikë e 9 kërcime.
Ylli në këtë ndeshje pati mungesa të mëdha. U paraqit pa qendrën Chris Harris dhe kroatin Henrik Shirko, të cilët janë të lënduar dhe nuk dihet se a do të jenë të gatshëm për ndeshjen e dytë.
“Me gjithë mungesat nuk jemi ekip i dobët, por nuk arritëm të bënim më shumë. Falënderoj Pejën për organizimin e mirë dhe atmosferën në palestër. Të dyja ekipet u munduan të japin më të mirën në këtë fazë të rëndësishme të sezonit. Ndoshta na munguan kërcimet në sulm, por shpresoj të kemi energjinë e njëjtë dhe të bëjmë paraqitje më të mirë në ndeshjen e dytë”, është shprehur trajneri i Yllit, Adis Beqiragiq.
Skuadra e Yllit ka fituar titullin e kampionit të Kosovës në dy edicionet e fundit, ndërsa Peja është në kërkim të këtij suksesi që nga viti 2013.