Start të mirë sikurse në Superligën e Kosovës në basketboll, trajneri i Pejës, Shemsettin Bash, pret të ketë edhe në Ligën Unike dhe në Ligën Ballkanike (BIBL).
Peja në edicionin 2021/22 do të marrë pjesë edhe në këto dy gara që fillojnë në muajin e ardhshëm. Skuadra pejane në kampionatin kosovar ka regjistruar dy fitore në po aq ndeshje të zhvilluara dhe Bash shpreson në një start të tillë edhe në dy garat e tjera.
Për këtë trajneri nga Turqia mbështetet në numrin e madh të lojtarëve të huaj që i ka në ekip. Peja aktualisht ka gjashtë lojtarë të huaj, më shumë se çdo skuadër tjetër në Kosovë. Në Superligën e Kosovës lejohen nga katër basketbollistë të huaj, ndërsa në Ligën Unike e BIBL, numri i tyre nuk është i limituar. Kështu që trajneri Bash do të përdorë rotacionin sa u përket lojtarëve të huaj, në tri garat ku do të paraqitet Peja. Krahas Daniel Lekndrejajt nga Shqipëria, që llogaritet i huaj, Peja në radhët e veta e ka edhe Erdem Ilterin nga Turqia, Henrik Shirkon nga Kroacia si dhe Jyles Smithin, Alan Arnettin dhe Stephan Maxwellin. Bash të enjten për KOHËN ka thënë se kishte nevojë për një ekip të gjerë dhe me shumë lojtarë të huaj, sidomos pas largimit të Lis Shoshit. Shoshi javën e kaluar u largua nga Peja për ta vazhduar karrierën në Izrael.
“Jam i lumtur me startin e mirë të ekipit në Superligë dhe shpresoj që të kemi një start të tillë edhe në Ligën Unike dhe në Ligën Ballkanike, që nuk do të jetë aspak lehtë. Prej muajit tjetër do ta kemi një orar dukshëm më të ngjeshur dhe për ta përballuar këtë kemi pasur nevojë për ekip më të gjerë, sidomos pas largimit të Lisit”, ka pranuar Bash. “Tani kemi gjashtë të huaj në ekip dhe do të luajnë ata që do të jenë të gatshëm dhe që do të na duhen, varësisht prej garës dhe ndeshjes. Pra, do të përdorim rotacion. Kemi pasur nevojë për më shumë lojtarë në dispozicion dhe do të shohim si do të shkojnë gjërat”.
Në Ligën Unike krahas Pejës do të marrin pjesë edhe Golden Eagle Ylli, Rahoveci e Prizreni-16. Shorti për edicionin e dytë të kësaj gare do të hidhet në fillim të muajit tjetër. Peja në sezonin debutues të Ligës Unike, që ishte turne, u mposht në finale nga skuadra e Yllit. Ndërkohë, në Ligën Ballkanike Peja është pjesë e Grupit A dhe do të ketë punë me skuadrat si Ballkan e Levski 2014 nga Bullgaria, pastaj Kumanova 2009 e Navico Akademija FMP të Maqedonisë së Veriut, si dhe skuadrën nga Izraeli, Hapoel Nufar Energy Galil Elion.
Në BIBL krahas Pejës këtë sezon paraqitet edhe Sigal Prishtina, por që luan në Grupin B. Bash ka pranuar se synimi i Pejës është të ketë paraqitje sa më të mira dhe normalisht të synojë trofe në të gjitha garat që merr pjesë. Peja kthehet në Ligën Ballkanike njëjtë si Prishtina.
“Në secilën garë do të luftojmë për të fituar. Por nuk do të jetë aspak lehtë, për shkak se do të kemi shumë ndeshje”, ka insistuar Bash.
Pas fitoreve ndaj Bashkimit e Prishtinës, skuadra e Pejës në kuadër të xhiros së tretë të elitës së basketbollit kosovar do të përballet në palestrën “Karagaçi” me Rahovecin.