Peja të dielën ka mbetur pa kapitenin e deritashëm, Drilon Hajrizi. Por skuadra pejane ka angazhuar po të dielën trajner nga Turqia, për të dëshmuar se nuk do të jetë pa pretendime në Superligën e Kosovës në basketboll.
Pejën në vazhdim të kampionatit do ta udhëheqë trajneri Shemsettin Bash. Ai në fakt është me prejardhje nga Novi-Pazari, por është i lindur dhe jeton në Turqi. Peja më 25 dhjetor ka njoftuar për ndarjen me Edi Xhelalija, të cilin e kishte prezantuar me bujë. Nuk është bërë rehat as me lojtarë, por vazhdon të ketë pretendime. Aktualisht është në vendin e tretë në Superligë me një pikë më pak se Rahoveci e Ponte Prizreni, që udhëheqin në tabelë.
Bash, 47-vjeçar, ka pasur karrierë të madhe si basketbollist, ndërsa është thuajse në fillim të karrierës si trajner. Si lojtar ka luajtur për skuadrat e njohura, Tofash, Karshiyaka, Galatasaray e Turk Telekom. Ishte për kohë të shkurtër edhe te Avtodor Saratov në Rusi.
Ndërkohë si trajner prej vitit 2014 e deri në vitin 2018 e udhëhoqi Bursasporin. Edicionin e kaluar e drejtoi CSO Voluntarin në Rumani.
“Kam shumë shokë në Kosovë dhe vazhdimisht kam dëgjuar gjëra të mira për Kosovën. Disa herë kam qenë në Prishtinë. Vitin e kaluar kam punuar në Rumani, vend që më ka pëlqyer. Dua të punoj në Evropë, ndërsa e kam pranuar pa menduar ofertën që erdhi nga Peja”, ka thënë Shemsettin Bash për KOHËN, të dielën mbrëma.
Ai bëhet trajneri i tretë nga Turqia në Superligën e Kosovës. Në dhjetor trajnerë turq emëruan edhe Golden Eagle Ylli dhe Trepça.
“Kam pasur njohuri për basketbollin kosovar edhe në të kaluarën. Shumë trajnerë turq kanë punuar këtu. Di shumë nga bisedat që kam pasur me ta. Por lojtarët dhe basketbolli po ndryshojnë çdo ditë dhe pas një kohe do të dijë edhe më shumë për basketbollin kosovar”, ka shtuar Bash.
Ai ka pranuar se nuk vjen pa pretendime në Kosovë. Ende nuk dihet se me çfarë përbërje do të paraqitet Peja në pjesën e dytë të edicionit. Largimi i Hajrizit mund të lërë hapësirë. Skuadrat pritet të ndryshojnë goxha shumë në përbërje për pjesën e dytë të edicionit.
“Synimi ynë është të arrijmë më të mirën e mundshme. Do të ishte shumë më mirë nëse këtë do ta arrinim me tifozët tanë të jashtëzakonshëm”, ka theksuar Bash.
Aktualisht tifozët nuk lejohen në palestra dhe nuk dihet se kur do të lejohen. Pejës i ka munguar stabiliteti në vitet e fundit dhe gjërat nuk kanë qenë më të qarta as këtë edicion. Ndonëse në vend të tretë, Peja ka pësuar disa humbje të papritura. Dhe jo të gjithë lojtarët kanë luajtur rregullisht. Shumë pritet nga Dardan Berisha, që tani për tani vazhdon të jetë pjesë e Pejës.