Si asnjëherë më parë, tri skuadra të Superligës do të drejtohen nga trajnerë turq në të njëjtën kohë. Basketbolli në Turqi vlerësohet mjaft i zhvilluar, por gjendja në basketbollin kosovar nuk pritet të ndryshojë shumë me ardhjen e tyre. Trajnerë të huaj vijnë e shkojnë, por sfidë mbetet nxjerrja e lojtarëve të rinj. Dhe trajnerët e huaj ishin pak të angazhuar në këtë drejtim deri më tani. Kjo e ka sjellë situatën që skuadrat të varen shumë nga lojtarët e huaj dhe që emrat e lojtarëve vendorë të ndryshojnë fare pak. Yll Kaçaniku vlerëson se basketbolli kosovar do të përfitojë nga ardhja e trajnerëve nga Turqia, ndërsa për punën me të rinj përgjegjës i bën vetëm klubet
Shemsettin Bash i gëzohet faktit se në Superligën e Kosovës në basketboll nuk do të jetë trajneri i vetëm nga Turqia. Bash të dielën është emëruar trajner i Pejës. Më herët trajner turq emëruan edhe Golden Eagle Ylli dhe Trepça.
Për herë të parë në Superligën e Kosovës në basketboll punojnë njëkohësisht tre trajnerë nga Turqia. Ka kohë që është “trend” që skuadrat kosovare të basketbollit t’i udhëheqin trajnerë të huaj, që tradicionalisht kanë pasur më shumë besim se trajnerët e vendit. Jo gjithnjë trajnerët e huaj kanë arritur pritshmëritë, por heqja dorë prej tyre nuk ka qenë opsion. Natyrisht ka edhe shumë e shumë trajnerë të huaj që vlerësohet se kanë ndihmuar në zhvillimin e basketbollit kosovar dhe kanë lënë gjurmë në mjediset ku kanë punuar.
Shemsettin Bash, një ish-basketbollist i njohur në Turqi, shpreson që të lërë gjurmë te Peja me punën e tij. Të njëjtën gjë e shpresojnë edhe Fatih Emre Gezer dhe Serhat Shehit, që tashmë kanë debutuar në basketbollin kosovar. Gezer më 18 dhjetor është emëruar trajner i Golden Eagle Yllit, ndërsa Shehit më 24 dhjetor mori drejtimin e Trepçës. Kështu tri prej tetë skuadrave të Superligës drejtohen me trajnerë nga Turqia. Vëllaznimin e drejton një trajner maqedonas, ndërsa Rahoveci, Ponte Prizreni, Bashkimi e Sigal Prishtina aktualisht kanë trajnerë vendorë. Kjo mund të ndryshojë në ditët apo javët në vazhdim.
Shemsettin Bash
“Shumë trajnerë turq punojnë këtu, që është shumë mirë për basketbollin kosovar. Basketbolli turk ka qenë shumë i suksesshëm dhe shumë është investuar në vitet e fundit”, ka thënë Shemsettin Bash për KOHËN.
Trajneri i ri i Pejës ka punuar për katër vjet te Bursaspori, kurse edicionin e kaluar e drejtoi Voluntarin në Rumani. Karrierë dukshëm më të pasur kishte si basketbollist. Ka luajtur për skuadrat e njohura turke, Tofash, Karshiyaka, Galatasaray e Turk Telekom.
Bashin te Peja e presin sfida, njëjtë si trajnerët e Yllit e Trepçës. Ylli aktualisht është i katërti, por suharekasit synojnë titullin apo kupën. Trofe kërkon edhe Trepça, por që aktualisht renditet e fundit.
Ndër vite kanë punuar trajnerë turq në Kosovë, por jo shumë. Ali Burgul kishte fituar titull të kampionit me Mabetexin, një dekadë e gjysmë më parë. Te Prishtina kanë punuar Ekrem Memnun, Ahmet Kandemir e Ceyhun Cabadak, por shumë kohë më parë. Vitin e kaluar ekipin e femrave të Bashkimit e udhëhoqi Furkan Saglik. Disa prej këtyre nuk janë ndarë mirë me klubet kosovare. Klubet u kanë mbetur borxh atyre dhe rastet janë zgjidhur në gjykatën e FIBA-s.
Por kjo nuk i ka penguar tre trajnerët e tjerë nga Turqia që të gjejnë punë në Kosovë.
Në fakt, deri më tani në basketbollin kosovar kanë dominuar trajnerët nga vendet e rajonit: Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia e Bosnjë-Hercegovina. Te Peja e Trepça së fundi kishte trajnerë kroatë, ndërsa Ylli kishte trajner nga Mali i Zi.
Por pak gjëra pritet të ndryshojnë me ardhjen e trajnerëve nga Turqia. Sfidë ishte dhe vazhdon të mbetet nxjerrja e lojtarëve të rinj të vendit. Trajnerët e huaj vlerësohet se kanë punuar pak në këtë drejtim, njëjtë si trajnerët vendorë. Kjo bën që skuadrat të varen shumë nga basketbollistët e huaj, shpesh me cilësi të dyshimta, dhe që emra të rinj të basketbollistëve vendorë të ketë fare pak. Ende bartës nëpër skuadra janë lojtarët që ishin kryesorët thuajse një dekadë më parë, me pak ndonjë ndryshim.
Për trajnerët nga Turqia mendim mund të japë Yll Kaçaniku, ish-reprezentues i Kosovës dhe i Turqisë, që është pjesë e basketbollit turk për kohë të gjatë. Ai jeton në Turqi prej vitit 1998, me pak shkëputje.
Fatih Emre Gezer
“I njoh të gjithë trajnerët që janë në ligën e Kosovës momentalisht. Trajneri i Pejës, Bash, ka qenë prej lojtarëve të mirë të Superligës së Turqisë dhe ka përvojë të madhe në basketboll. Kështu që mendoj që është një hap përpara. Trajneri i Trepçës, Shehit, po ashtu ka përvojë dhe e ka udhëhequr ekipin e Superligës turke, Buyukçekmece. Trajneri i Yllit në krahasim me dy trajnerët e tjerë, për herë të parë do të udhëheqë ekipin si kryetrajner, por ka vite që është pjesë e klubeve të mëdha në Turqi”, ka thënë Kaçaniku për KOHËN.
Ai ishte pjesë e skuadrave të mëdha në Turqi dhe pjesë e skuadrave të mëdha kosovare. Ka punuar me shumë trajnerë të njohur gjatë karrierës.
“Besimi ndaj trajnerëve nga Turqia nuk po ndodh për herë të parë. Ka pasur shumë trajnerë nga Turqia pas luftës. Kjo ka të bëjë edhe me afërsinë tonë si popull që e kemi me Turqinë e po ashtu me kontaktet e klubeve tona me basketbollin turk. Unë mendoj që është vendim i mirë që të punohet me trajner turq, duke marrë parasysh që liga turke është prej më të fortave”, ka shtuar Yll Kaçaniku.
Sipas tij, trajnerët nga Turqia kanë përvojë të madhe në arenën ndërkombëtare dhe kjo është përparësi e madhe për basketbollin kosovar, nëse shfrytëzohet.
Lidhur me punën me të rinjtë, Kaçaniku ka rezervat e veta. Ai nuk i fajëson trajnerët.
“Unë vetë e kam parë se sa pak punohet me gjeneratat e reja në Kosovë. Kjo ka të bëjë vetëm me klubet. Kushdo që vjen në Kosovë dhe e sheh që nuk po punohet me gjeneratat e reja do të veprojë ashtu si trajnerët e deritashëm. Vetë klubi duhet të kërkojë prej trajnerit që të ndihmojë, por natyrisht vetëm nëse i plotësohen kushtet. Unë kam kërkuar që të punoj me të rinjtë sa isha në Prishtinë dhe e kam parë se askush nuk interesohet. Kështu që problemi është te klubet”, ka theksuar Kaçaniku.
Ai aktualisht nuk është i përfshirë në basketboll. Kthimin në basketboll e ka paralajmëruar për edicionin e ardhshëm. Dhe Kaçaniku është i vetëdijshëm se puna me të rinj duhet të jetë prioritet.
“Askush nuk mund të na ndihmojë neve në Kosovë pa qenë vetë ne të vendosur për të përmirësuar gjendjen në të cilën gjendet Kosova”, thotë ai.