KB Peja nuk do të jetë pjesë e Ligës Unike (BIBL) në sezonin 2021/22 që starton javën e ardhshme.
Nëpërmjet një njoftimi të lëshuar të mërkurën në sajtin e kësaj lige, drejtori Shay Shtriks ka bërë të ditur se ka marrë vendim për largimin e skuadrës së Pejës.
Bëhet e ditur se ky vendim është marrë pasi skuadra pejane, siç thuhet, ka refuzuar ta konfirmojë orarin zyrtar të garave, si dhe gjithashtu nuk i ka përmbushur obligimet financiare ndaj BIBL-it në afatet e përcaktuara.
Në fakt, Peja ishte njëra prej dy skuadrave nga Kosova që kishte konfirmuar pjesëmarrjen në BIBL, së bashku me Sigal Prishtinën.
Madje, javë më parë ishte publikuar edhe orari i BIBL-it, në të cilin ishte përfshirë skuadra e Pejës. Peja ishte caktuar të luante në Grupin A, së bashku me ekipet Ballkan e Levski 2014 (Bullgari), Kumanova 2009 e Navico Akademija FMP (Maqedonia e Veriut) dhe skuadrën nga Izraeli, Hapoel Nufar Energy Galil Elion.
Kështu që, pasi e ka larguar Pejën, drejtori i Ligës Ballkanike, Shtriks ka bërë të ditur se Grupi A do të përbëhet prej pesë ekipeve dhe orari do të mbetet i njëjtë por pa ndeshjet e planifikuara të ekipit kosovar.
“KB Peja nuk do të marrë pjesë në sezonin 2021/22 të Ligës Ballkanike. Vendimi për pjesëmarrësin e dytë të Kosovës është marrë nga drejtori sportiv Shay Shtriks. Z. Shtriks foli sot me presidentin e Federatës së Basketbollit të Kosovës, z. Arben Fetahu dhe i shpjegoi vendimin e tij. KB Peja refuzoi të konfirmojë orarin zyrtar të konkursit, si dhe t’i përmbushë të gjitha obligimet e tyre financiare ndaj BIBL në afatet e përcaktuara”, thuhet në njoftim. “Z. Shtriks vendosi që asnjë klubi nuk do t'i jepet përparësi nga pjesa tjetër e 11 skuadrave dhe se me një qëndrim të tillë nga KB Peja tashmë para fillimit të sezonit, ai nuk sheh ndonjë të ardhme me pjesëmarrjen e KB Pejës në ligë. Liga Ballkanike nuk do të rrezikojë emrin e saj të ndërtuar për 14 vjet të një lige serioze të respektuar, si dhe emrin e mirë të sponsorëve dhe partnerëve tanë, shtetit të Kosovës, dhe imazhin e ekipeve të tjera serioze”.
Megjithatë, te Peja kanë insistuar se arsyet ishin krejtësisht tjera dhe se klubi ka vendosur të tërhiqet pas kërkesës së shtabit teknik për shkak të orarit të ngjeshur duke pasur parasysh se skuadra pejane do të paraqitet edhe në Ligën Unike.
“KB Peja nuk do të luajë në BIBL pas kërkesës së shtabit teknik, e gjithashtu edhe me shpenzimet shtesë gjatë kampionatit, të cilat mund të jenë edhe të paarritshme nëse vazhdohet me masat e njëjta shkaku i pandemisë. Nuk ka asgjë në lidhje me detyrat tona financiare, por e kemi parë të arsyeshme të tërhiqemi. KB Peja falënderon Ligën Ballkanike, por kësaj radhe e pati të pamundur garimin atje. Ne synim e kemi titullin e Kampionit në Kosovë!”, ka thënë drejtori Arbër Elshani.
Sezoni i ri në BIBL nis më 12 tetor, kurse ndeshjen e parë do ta luajë Sigal Prishtina që e pret në shtëpi ekipin nga Bullgaria, Akademik Plovdiv. Prishtina bën pjesë në Grupin B të BIBL-it, të cilin e përbëjnë edhe Beroe nga Bullgaria, Ironi Rain Nagariya nga Izraeli, Ibari i Rozhajës dhe TFT nga Maqedonia e Veriut.