Basketbollistët e Pejës shënuan fitore të vështirë në Ligën Unike. Peja triumfoi ndaj Teutës së Durrësit në ndeshjen e xhiros së tetë në të cilën u shënuan mbi 200 pikë. Dueli i luajtur të martën mbrëma përfundoi me shifrat 103:101 në favor të Pejës, fitore që e siguroi vetëm në çerekun e katërt.
Pas ndeshjes pejanët kanë pranuar se kishin mungesë të lojtarëve, duke u ankuar në lëndimin e turkut Erdem Ilter. Shkaku i mungesave Peja në këtë ndeshje, në përbërje i kishte vetëm tre lojtarë të huaj: Stephen Maxwell, Tyrone White e Edgar Garibay.
Në fakt Peja kishte të drejtën e inkuadrimit të tre të huajve në të njëjtën kohë dhe një ta mbante në stol. Por i kishte vetëm tre gjithsej. Teuta kishte në përbërje plot pesë të huaj dhe të gjithë mund të luanin njëkohësisht. Liga Unike është e përbashkët e klubeve nga Kosova e Shqipëria, por rregullat nuk i ka të njëjta. Për klubet kosovare vlejnë rregulloret e Federatës së Basketbollit të Kosovës, ato që i aplikon në Superligë. Për klubet nga Shqipëria vlejnë rregulloret e Federatës Shqiptare të Basketbollit. Dhe ka dallime jo të vogla sa u takon lojtarëve të huaj.
Në Kosovë numri i të huajve është i limituar në katër, ndërsa vetëm tre mund të luajnë njëkohësisht. Në Shqipëri numri i të huajve nuk është i limituar dhe të gjithë mund të luajnë njëkohësisht. Në ndeshjen e së martës kishte moment kur Teuta i kishte katër të huaj në përbërje. Njëri prej tyre, Caneron Saterwhite, me 26 pikë ishte më i dalluari te Teuta, kurse amerikanët e tjerë ishin Tamas Bruce, Tyler Peterson, Bryce Cashman e Calvin Whipple.
“Klubet pjesëmarrëse në Ligën Unike u nënshtrohen rregullave të Federatave Nacionale rreth regjistrimit dhe paraqitjes në fushën e lojës të lojtarëve/eve në edicionin 2021/22”, thuhet në nenin 6.4 të Rregullores së garave të Ligës Unike.
Në rregulloren e FSHB-së nuk parashikohet kufizimi i lojtarëve të huaj. Rregullorja specifikon vetëm se për transferimin e lojtarëve shqiptarë në klube të huaja dhe lojtarëve të huaj në klube shqiptare zbatohet rregullorja e FIBA-s. Shkruan se për transferimin e lojtarëve të huaj, ekipeve nga Shqipëria u vendoset një tarifë.
“Për dy lojtarët e parë të huaj të regjistruar, detyrimi (LOC - 250 CHF) do të përfshihet sipas nenit 19.I. Për çdo lojtar të huaj të regjistruar mbi numrin dy do të paguhen edhe 500 CHF krahas shumës së përcaktuar në nenin 19”, thuhet në Rregulloren e garave të FSHB-së.
Bazuar në këtë rregullore, skuadrat e Kosovës janë në disavantazh ndaj atyre të Shqipërisë sa i përket aktivizimit të lojtarëve të huaj. Këtë e pranon edhe Arbnor Rifati që është trajner te Prizreni-16.
Sipas Rifatit, kjo rregullore duhet të ndryshojë për edicionin e ardhshëm dhe të gjitha ekipet pjesëmarrëse të jenë të barabarta sa u përket lojtarëve të huaj.
Këtë edicion Liga Unike përbëhet prej tetë skuadrave – katër nga Kosova dhe po aq nga Shqipëria. Vjet Liga Unike ishte luajtur në formë turneu. Trofeun e parë të Ligës Unike e ka fituar Golden Eagle Ylli që po paraqitet edhe këtë edicion së bashku me Pejën, Rahovecin e Prizrenin-16. Ndërkohë Shqipërinë krahas Teutës po e përfaqësojnë edhe Vllaznia e Shkodrës, Tirana e Kamza.
“Normalisht që Liga e Shqipërisë, më saktësisht skuadrat e saj kanë përparësi sa u përket lojtarëve të huaj karshi ekipeve të Kosovës. Ata luajnë me rregullat e ligës së tyre, kurse ne me ato të ligës sonë. Ata kanë të drejtën e aktivizimit të pesë të huajve derisa ne vetëm tre”, ka pranuar Rifati. “Por, kjo nuk më brengos shumë pasi kam besim tek ekipi im dhe lojtarët. Por, liga për të pasur një barazi mes të gjitha ekipeve është mirë që në sezonin tjetër të analizohet kjo pjesë dhe të jetë një vendim për të gjithë i njëjtë. Mos të ketë favorizime, edhe pse mendoj se nuk ka favorizime por është vetëm një vlerësim i gabuar”.
Në disavantazh nuk janë vetëm ekipet e meshkujve, por edhe ato të femrave që po paraqiten në edicionin e parë të Ligës Unike. Në Kosovë ekipet e femrave kanë drejtë t’i regjistrojnë tri lojtare të huaja derisa vetëm dy prej tyre mund të luajnë në parket. Ndërkohë ekipet e Shqipërisë kanë të drejtën e katër basketbollisteve të huaja, falë rregullores në FSHB.
Këtë edicion në Ligën Unike të femrave paraqiten Prishtina, Bashkimi dhe Penza nga Kosova, ndërsa Shqipëria përfaqësohet nga Tirana, Partizani e Flamurtari.
“Për mendimin tim personal nuk do të duhej të ishin as tri të huaja, pasi që unë e shoh këtë ligë më shumë zhvillimore sesa garuese. Besoj që në të ardhmen kjo rregullore duhet të freskohet pasi që nuk është e drejtë që të jetë një ligë me rregullore nga federatat gjegjëse. Nëse një ekip ka pesë të huaja në parket, atëherë mund të ketë dëshpërim te disa ekipe që janë me lojtare të reja. Viti i parë ndoshta është edhe mësim në terren, por besoj që në të ardhmen do të ndryshojë, në të kundërtën, nuk e di ku është interesi për pjesëmarrje”, ka thënë trajneri i KBF Prishtina, Fidan Shatri.