Në fundjavë janë luajtur ndeshjet e para të Ligës Unike në basketboll. Skuadrat nga Kosova kanë shënuar dy fitore, ndërsa i kanë pësuar edhe dy humbje.
Ndeshja e parë u luajt të shtunën në Tiranë. Skuadra Tirana Neptun e mposhti Rahovecin me shifrat 79:74. Qendra Endrit Hysenagolli udhëhoqi Tiranën me 25 pikë e 18 kërcime. Ndërsa Eldi Hysa shtoi 19 pikë. Te Rahoveci u dalluan Milik Yarbough me 21 pikë dhe Musab Mala me 18 pikë.
Ndërkohë të dielën u luajtën tri ndeshje, ndonëse fillimisht në program kishin qenë vetëm dy.
Fillimisht Kamza e mposhti Prizrenin me shifrat 96:91. Ndeshja u luajt në Suharekë, ku skuadra Prizreni-16 paraqitet si vendës.
Matthew Eldrigde e udhëhoqi Kamzën me 23 pikë e 11 kërcime. Te Prizreni shifrat më të mira i kishte Urim Zenelaj. Ai ndeshjen e mbylli me 14 pikë e 11 kërcime. Ivan Koleviq i kishte 18 pikë e nëntë asistime.
Dy ndeshjet e fundit u fituan nga skuadrat kosovare. Peja e mposhti Teutën e Durrësit me rezultatin 82:73. Kroati Henrik Shirko u shqua te Peja në Durrës me 22 pikë e 11 kërcime. Cameron Saterwhite u dallua te Teuta me 16 pikë e 8 kërcime.
Ndeshja e fundit u luajt në Shkodër në mes të Vllaznisë dhe Golden Eagle Yllit, skuadrës suharekase që fitoi turneun nismëtar të Ligës Unike. Ylli fitoi me shifrat 79:67.
Liga Unike është formuar me synim për ta zhvilluar tutje basketbollin shqiptar, në Kosovë e Shqipëri. Sigal Prishtina është kthyer në Ligën Ballkanike, ndërsa për edicionin e dytë rresht skuadrat kosovare nuk po luajnë në kupa evropiane.