Pas Golden Eagle Yllit, edhe Peja ka kaluar në finalen e Ligës Unike. Në ndeshjen gjysmëfinale të “Final 4” të Ligës Unike, Peja të mërkurën mbrëma triumfoi ndaj Prizrenit-16 me shifrat 98:94. Finalja mes Yllit dhe Pejës, do të luhet të enjten mbrëma dhe do të jetë përsëritje e finales së vitit të shkuar, në të cilën triumfoi skuadra nga Suhareka.
Gjysmëfinalja mes Pejës dhe Prizrenit-16 ishte dramatike dhe fituesi u përcaktua në çerekun e fundit. Këtë çerek, e fitoi Peja me shifrat 30:18 për ta siguruar fitoren dhe kalimin në finale, pasi Prizreni-16 ishte kryesisht në epërsi gjatë çerekëve të mëparshëm. Ishte ish-basketbollisti i Prizrenit-16, amerikani Courtney Fells, ai që u dallua më së shumti te skuadra e Pejës.
Fells e mbylli ndeshjen me 31 pikë të shënuara, ndërsa kapiteni Dardan Berisha shtoi 24 sosht. Te Prizreni-16, Darrell Davis e Xavier Cannefax ishin më efikasit me nga 20 pikë të shënuara secili. Prizreni-16 do të përballet me Teutën e Durrësit në ndeshjen për vendin e tretë që do të luhet të enjten prej orës 17:00. Edhe këto ndeshje, do të luhen në palestrën “Karagaçi” në Pejë sikurse duelet gjysmëfinale të “Final 4” të Ligës Unike.