Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Prizreni-16 del i treti në Ligën Unike

basket, sport, prizreni 16, futbolli, koha, 21 prill

Prizreni-16 e ka përfunduar sezonin 2021/22 në Ligën Unike në pozitën e tretë. Skuadra prizrenase e mposhti Teutën e Durrësit në duelin e vendit të tretë në kuadër të “Final 4” të Ligës Unike.

Ndeshja e luajtur të enjten në palestrën “Karagaçi” përfundoi me fitoren e thellë të Prizrenit-16 me shifrat 106:89. Teuta ishte më e mirë se Prizreni-16 vetëm në çerekun e parë, të cilin edhe e mbylli me pesë pikë epërsi (21:16). Në tre çerekët tjerë, Prizreni-16 ishte më i mirë dhe arriti ta fitojë ndeshjen. Arti Hajdari me 32 pikë të shënuara, ishte më efikasi te Prizreni-16.

Ndërsa, në këtë triumf kontribuuan edhe Xavier Cannefax (21), Roy McCoy (16) e Darrell Davis (16). Në anën tjetër, te Teuta më efikasit ishin Nasir Core e Kyle Beisch. Core ndeshjen e mbylli me 23 pikë të shënuara, ndërsa Beisch shtoi 19 por që nuk mjaftuan për të evituar humbjen e dytë rresht në kuadër të “Final 4” të Ligës Unike.

Si Prizreni-16 ashtu edhe Teuta, u eliminuan në gjysmëfinale të mërkurën. Prizreni-16 u mposht nga Peja, ndërsa Teuta pësoi nga Golden Eagle Ylli. E Ylli dhe Peja, do të luajnë në finale prej orës 20:30.