Te Peja dhe Prizreni-16 janë të vendosur që pas vetëm dy ndeshjeve të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll të avancojnë në gjysmëfinale.
Të dyja skuadrat po synojnë t’i mposhtin kundërshtarët e tyre në serinë çerekfinale me rezultatin e përgjithshëm 2:0. Skuadrat që shënojnë nga dy fitore avancojnë në gjysmëfinale.
Peja dhe Prizreni-16 i kanë fituar ndeshjet e para dhe me një këmbë janë në gjysmëfinale të plejofit. Në duelin e parë Peja ishte më e mirë se Bashkimi (94:70), kurse Prizreni-16 triumfoi të enjten mbrëma ndaj Sigal Prishtinës (95:87).
Skuadra pejane duelin e dytë do ta luajë në Prizren dhe pas triumfit bindës në duelin e parë ka optimizëm të madh në ekipin e trajnerit Marin Dokuzovski. Ndeshja Bashkimi - Peja zhvillohet të shtunën prej orës 20:45 dhe në rast se Peja fiton atëherë në gjysmëfinale do të ndeshet me Trepçën.
Nëse triumfon Bashkimi, atëherë gjysmëfinalisti do të përcaktohet në ndeshjen e tretë që luhet javën tjetër në Pejë.
Peja së fundmi triumfoi në Ligën Unike, ndërsa stinorin e rregullt në Superligën e Kosovës e ka mbyllur në pozitën e tretë. Ndërkohë, Bashkimi ka përfunduar i gjashti.
“Ne do të japim maksimumin nga vetja për ta fituar edhe ndeshjen e dytë, pasi synimi është ta prekim gjysmëfinalen me rezultatin e përgjithshëm 2:0. Mirëpo, nuk do të jetë aspak lehtë. Bashkimi është një ekip i fortë dhe në këtë ndeshje do ta ketë përkrahjen e plotë të tifozëve, gjë që e bën ndeshjen edhe më të vështirë për të dyja ekipet. Megjithatë, ne nuk do të kursejmë asgjë nga vetja për të treguar lojë të mirë dhe për të fituar”, ka thënë basketbollisti i Pejës, Daniel Lekndrejaj.
Të dielën prej orës 20:45, Prizreni-16 do të jetë mysafir i Sigal Prishtinës. Stinorin e rregullt dy ekipet e përfunduan me pikë të njëjta, por Prizreni-16 ishte i katërti duke e lënë Prishtinën në vendin e pestë për shkak të bilancit më të mirë në duelet e ndërsjella.
Ekipi që avancon në gjysmëfinale nga ky çift do të ketë punë me kampionin në fuqi, Golden Eagle Yllin.
“Ne do të japim maksimumin që serinë ta përfundojmë me 2:0, por nuk është aspak lehtë për shkak se Prishtina ka një ekip të mirë. Nuk do të mendojmë njëherë për Yllin, sepse nuk duam të ngutemi pa e kaluar Prishtinën. Jam optimist se të dielën do të konfirmojmë kalimin në gjysmëfinale, pasi do të udhëtojmë për rezultat pozitiv”, tha trajneri i Prizrenit-16, Arbnor Rifati.
Në gjysmëfinale tashmë janë kualifikuar Golden Eagle Ylli dhe Trepça, ekipe që stinorin e rregullt e përfunduan në dy pozitat e parë. Ylli është kampion në fuqi.